Meta, në analizën e strukturave të LSI në Durrës: Zgjedhjet vendore, bazë për ato politike

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta mori pjesë në analizën për zgjedhjet vendore të 21 qershorit të strukturave të LSI-së në qarkun e Durrësit.

Duke folur para anëtarëve dhe simpatizantëve të kësaj partie, Meta tha se rezultatet e arritura në zgjedhjet e fundit janë një bazë shumë e mirë për të ardhmen, ndërsa përmendi edhe disa nga qarqet kryesore të vendit ku kjo forcë politike ka shënuar një rritje të ndjeshme. 

“Rezultatet e fundit janë një bazë shumë e mirë për të ardhmen. LSI-ja është një forcë politike që ka një rritje të konsiderueshme nga zgjedhjet politike të vitit 2013, me 80 mijë vota dhe padyshim më shumë se sa është dyfishuar në raport e zgjedhjet vendore të vitit 2011, me 140 mijë vota. Ajo që na gëzon më shumë është fakti se LSI-ja ka dalë në më shumë se gjysmën e bashkive të vendit forcë e parë dhe forcë e dytë politike”, u shpreh Meta. 

Ai vuri në dukje se, LSI në qarkun e Gjirokastrës ka dalë forcë e parë politike dhe në katër qarqe të tjera ndër më të mëdhatë e vendit, ka dalë forcë e dytë. 

“Bëhet fjalë për qarkun e Fierit, që është i dyti për nga madhësia në vend, në qarkun e Elbasanit që është gjithashtu një qark shumë i rëndësishëm, në Bashkinë e Shkodrës dhe në qarkun e Shkodrës, që është qarku më i rëndësishëm në veriun e vendit dhe natyrisht në qarkun e Beratit. Rezultatet në Durrës dhe në Tiranë jashtë jashtëzakonisht pozitive, ku kemi pasur një dyfishim të votave”, theksoi kreu i LSI-së.

/ Top Channel

SHKARKO APP