Meta: Ne jemi bashkuar në këtë aleancë të jashtëzakonshme, sepse bashkimi bën fuqinë

 

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta mori pjesë në një miting madhështor të zhvilluar në sheshin “Nënë Tereza” në mbështetje të kandidatit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Shkodër, z. Erion Veliaj.

Të pranishëm në këtë takim përmbyllës, ishin edhe Kryetari i PS-së, z. Edi Rama, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të Qarkut të Tiranës si dhe kandidatët për këshilltarë për Bashkinë e Tiranës.

Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Ilir Meta tha se çdo votë për Erion Veliajn, është një detyrim jo vetëm i tij si kryebashkiak i Tiranës, por i të gjithëve për të realizuar shpresat dhe ëndrrat e gjithë banorëve të Bashkisë së Tiranës.

“Më 21 qershor e gjithë Shqipëria do të votojë për kandidatët e ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’, sepse asnjë bashki e asnjë komunitet nuk ka kohë për të humbur, nuk ka arsye përse të jetë peng i moszhvillimit për shkak të konfliktit politik që kërkon opozita e vjetër për fat të keq. Ndaj jam i bindur se Tirana, kryebashkia, kryeqyteti, do të jetë në krye të fitores më të thellë që është arritur ndonjëherë këtu në 25 vjet. Padyshim që ka shumë arsye për të ndëshkuar atë që e la pas dore kryeqytetin për interesat e partisë. Padyshim që ka shumë arsye për t’u ndarë me atë model që fle gjumë dhe gërhet shumë dhe shqetëson Tiranën, përveç gjithë problemeve të tjera. Por nuk është kjo gara jonë. Gara jonë është me pritshmëritë e Tiranës, gara jonë është me pritshmëritë e shqiptarëve të cilët kërkojnë shumë nga ne, të cilët kërkojnë shumë edhe nga Erion Veliaj, ndaj i ftoj të gjithë të marrin pjesë më 21 qershor në zgjedhje, pasi çdo votë për Erion Veliajn, është një detyrim më shumë, jo vetëm i tij si kryebashkiak i Tiranës, por i të gjithë neve për të realizuar shpresat dhe ëndrrat e gjithë banorëve të Bashkisë së Tiranës”, – tha z. Meta.

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim i vlerësoi zgjedhjet e 21 qershorit si historike për t’i dhënë një zhvillim të ri dhe një perspektivë të 61 bashkive të vendit.

“Dua t’u them të gjithë qytetarëve të Tiranës, por përfitoj nga rasti për të thënë të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, se zgjedhje vendore ka pasur dhe do të ketë çdo katër vjet. Por këto nuk janë si çdo palë zgjedhje. Në 21 qershor ndahen dy epoka, e një Shqipëria me një keqorganizim administrativ e territorial, një pengesë e madhe për të realizuar shërbimet e merituara ndaj qytetarëve shqiptarë, ndaj një pushteti vendor, i paaftë për të bërë politika zhvillimi dhe punësimi në një organizim të ri falë reformës historike, madhore që ne realizuam e cili do të çelë një perspektivë të re për të gjitha komunitetet në të 61 bashkitë e Shqipërisë e në mënyrë të veçantë në Bashkinë e re të madhe të Tiranës. Sepse ne i japim Tiranës një frymëmarrje tjetër, i japim hapësira të reja, i japim mundësi për të ndërtuar parqet e reja që i mungojnë, komplekset e reja sportive që i mungojnë, i japim mundësi për të harmonizuar të gjitha resurset dhe burimet e një zhvillimi të integruar që do të bëjë të mundur jo vetëm që banorët e shumë komunave të deritanishme të mos largohen, por përkundrazi të qëndrojnë atje dhe jo vetëm të përmirësojnë standardet e jetës së tyre, po përkundrazi të gëzojnë të njëjtat shërbime si gjithë qytetarët e Tiranës”, – u shpreh z. Meta.

Në vijim të fjalës së tij, z. Meta ftoi të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e partive të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” që të vazhdojnë fushatën shembullore që kanë zhvilluar anembanë vendit me kulturë, me qetësi dhe me dashuri deri në 21 qershor.

“Jemi në orët e fundit të kësaj fushate elektorale. Ndaj unë dua të falënderoj të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e partive të ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’ për këtë fushatë shembullore, të jashtëzakonshme që kanë zhvilluar anembanë vendit dhe i ftoj të vazhdojnë kështu me kulturë, me qetësi dhe me dashuri deri në 21 qershor. Dua të bëj një falënderim të veçantë për Kryeministrin Edi Rama, sepse ai është lodhur më shumë se ne të gjithë duke mbështetur me përkushtim të gjithë kandidatët e ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’ anembanë vendit dhe njëkohësisht dua të shpreh besimin tim se kjo aleancë kaq e madhe, nuk është bërë për të mundur ata që nuk ekzistojnë në këtë garë, sepse akoma nuk janë zgjuar dhe ashtu përgjumësh siç janë, vetëm shajnë dhe shpifin, natyrisht dhe vazhdojnë të gërhasin. Por ne jemi bashkuar në këtë aleancë të jashtëzakonshme, sepse bashkimi bën fuqinë për të bërë ndryshimin e merituar për qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë”, – theksoi z. Meta.

Kryetari i LSI-së shprehu bindjen se falë reformës administrative-territoriale, të gjitha energjitë do të shkojnë në një drejtim për të ofruar më shumë shërbime dhe për të ofruar më shumë punësim për të gjithë qytetarët.

“Unë ndaj bindjen me të gjithë ju se falë kësaj reforme administrative-territoriale që do të hyjë vërtet në fuqi në 22 qershor me votën e jashtëzakonshme të gjithë shqiptarëve anembanë vendit nga Tropoja në Sarandë, të gjitha energjitë tona do të shkojnë në një drejtim, sepse qeveria do të bashkëpunojë ngushtë me të 61 kryetaret dhe kryetarët e bashkive të reja pikërisht për të ofruar më shumë shërbime dhe për të ofruar më shumë punësim për të gjithë qytetarët tanë pa dallim feje, krahine dhe ideje”, – tha z. Meta, ndërsa vlerësoi z. Erion Veliaj si njeriun e duhur për drejtimin e Bashkisë së re të Tiranës për katër vitet e ardhshme.

“Unë besoj se Erion Veliaj do të arrijë një fitore të pashembullt në kryebashkinë e vendit, jo vetëm falë kësaj aleance të jashtëzakonshme, po, edhe falë aftësive të tij që do t’i konsideroja vërtet edhe ato të jashtëzakonshme, sepse Erioni ka treguar që është një politikan i talentuar, është një administrator shumë i mirë, është një reformator i vendosur. Sepse Erioni në krye të Ministrisë së Mirëqenies Sociale bëri si asnjë politikan e drejtues deri më sot, më shumë se kushdo për personat me aftësi të kufizuar, duke u dhënë atyre jo vetëm përkujdesje, por edhe përfaqësim. Bëri si asnjë politikan tjetër më shumë se kushdo për komunitetin rom dhe shumë komunitete të tjera, të cilët ishin lënë pas dore. Sepse Erioni bëri një reformë shumë të mirë, atë të pensioneve. Mbajti fjalën e kësaj mazhorance për uljen e moshës së pensioneve për minatorët dhe anembanë Shqipërisë ne marrim falënderime për këtë. Erioni ka bërë një punë të shkëlqyer për arsimin profesional, sepse kjo është një domosdoshmëri për t’i përgatitur të rinjtë për tregun e punës dhe për të kontribuar për rritjen ekonomike të vendit. Sepse Erioni bëri një punë të shkëlqyer për rritjen e fondit për nxitjen e punësimit, duke e shumëfishuar atë edhe pse buxheti ishte në kushte mjaft të vështira. Sepse Erioni i ktheu zyrat e punës në një model të shërbimit ndaj qytetarëve, ndaj të rinjve, dhe ndaj të rejave”, – tha z. Meta.

Lideri i LSI-së shprehu bindjen se për z. Veliaj do të flasë puna e tij, duke nisur nga 22 qershori për transformimin rrënjësor të kryeqytetit, për rilindjen e kryebashkisë së vendit. “Votoni Erion Veliajn, votoni partitë e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”. Suksese dhe fitore të mrekullueshme në 21 qershor!”, theksoi z. Meta

Ndërsa, Kryetari i Partisë Socialiste, z. Edi Rama u shpreh se koalicioni i majtë ka treguar se ka vullnet të hekurt për të krijuar shtetin modern të shqiptarëve.

“Jemi të vetëdijshëm që ka shumë nga ata që na besuan më 23 qershor të 2013-ës që janë zhgënjyer, që janë ende pa punë dhe që e kanë të vështirë të shtrojnë vaktin e mbrëmjes, por ju garantojë se kjo qeverisje ka 18 muaj që punon për shtetin modern të shqiptarëve dhe për këtë duhet vota dhe besimi i të gjithë shqiptarëve. Është e rëndësishme të votoni aleancën tonë, pasi tashmë është vendosur unanimisht nga aleanca që në kuvendin lokal të jenë të paktën 50% gra dhe vajza, pasi ne besojmë se gratë dhe vajzat janë thelbi i të ecurit në drejtimin e duhur. Ne besojmë se në çdo shtëpi gruaja është busulla mbi të cilën burrat lëvizin”, – tha z. Rama.

Z. Edi Rama shprehu bindjen e thellë se me drejtimin e Bashkisë së Tiranës nga z. Erion Veliaj, do të punohet më shumë se në 28 vite të marra së bashku.

“Ju sigurojë se në katër vite nuk do të bëhet ajo që nuk është bërë në 28 vite të marra së bashku, as kur unë isha në krye të Bashkisë. Ato vite që jam i sigurt që kanë mbetur në kujtesën e kryeqytetasve janë një eksperiencë e çmuar dhe besoj shumë se Erioni ka edhe më shumë mundësi për të bërë shumë më shumë. Kur unë nisa punën për transformimin e Tiranës, Kryeministër ishte Ilir Meta, dhe ky i fundit i dha një ton të fuqishëm punës sime. Ndërsa sot Erioni ka mbështetjen time dhe të Metës dhe të një aleance shumë më të madhe dhe të fortë sikurse nuk ishte në atë kohë. Më 21 qershor do mbarojë gërhitja që zuri Tiranën për katër vjet, që shokoi drejtues komunitetesh dhe shoqërinë në tërësi dhe që la pa punë të rinjtë e të reja. Tirana duhet të jetë lokomotiva, modeli, duhet të jetë magneti, që tërheq të gjithë Shqipërinë me vete, dhe kur gërhet Tirana si duhet të ndihen të tjerët. Ndryshimi i madh i Tiranës do të jetë fundi i gërhitjes së madhe dhe nisja e zgjimit të madh dhe një rilindje të re për kryeqytetin. Kjo ishte një fushatë model. Një fushatë model për mënyrën se si partitë e përfshira në këtë fushatë”, – tha z. Rama.

Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Tiranës, z. Erion Veliaj tha se është njeriu më me fat dhe i privilegjuar që mori propozimin e Partisë Socialiste dhe mbështetjen e aleancës më të madhe politike në historinë e zgjedhjeve shqiptare për t’i shërbyer kryeqytetit, si kryetar i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës.

“Jam sot shumë i lumtur që koalicioni ynë është një koalicion përtej të majtës dhe të djathtë sepse ky është qytet që ka nevojë për shërbime përtej të majtës dhe të djathtës. Tirana jonë është një vend jashtëzakonisht bujar, një vend që ka hapësirë për të gjithë, një vend që ka hapësirë për ata që janë veteranë dhe për ata që janë të përndjekur, një vend që ka hapësirë për të gjithë ata që kanë vite këtu, që janë tiransit e vjetër, por edhe për ata që janë tiransit e rinj, për ata që vijnë këtu si studentë që pretendojnë të krijojnë këtu një familje, që e shikojnë Tiranën si një arritje maksimale të ambicieve të tyre, të ëndrrave të tyre, të talentit të tyre. Kjo është Tirana ku besojmë ne. Dhe për këtë Tiranë do të punojmë duke filluar nga dita e hënë dhe çdo ditë 4 viteve të ardhshme”, – deklaroi z. Veliaj.

Kandidati i së majtës deklaroi se Tirana e 4 viteve të fundit nuk ka qenë një Tiranë bujare, por një Tiranë që i dallonte njerëzit, ca i trajtonte si të nënës e ca si të njerkës dhe një qytet që nuk ofronte mundësi për të gjithë.

“Fakti që Tirana sot është rrënuar, ka 871 rrugë të shqepura, fakti që Tirana sot s’ka trotuar, fakti që Tirana sot është kthyer në kalim me pengesa me gjithë pusetat që mungojnë, fakti që Tirana sot ka më shumë sheshe ndërtimi sesa parqe, këta e shesin si arritje. Faleminderit shumë, ne arritje të tilla nuk duam më dhe e duam Tiranën në drejtimin e duhur. Për të gjithë ata që ndoshta një sekondë në mendjen e tyre kanë menduar realisht që po bëhet qameti me fitoren tonë të pritshme në Tiranë dhe në 60 bashkitë e tjera të Shqipërisë, po ju themi, nuk vijmë për revansh, vijmë që t’ju shërbejmë, vijmë që t’ju respektojmë, vijmë që të punojmë me përulje të gjithë bashkë, nuk vijmë për hakmarrje, vijmë që ta kthejmë qytetin në punë. Kjo është diferenca”, – theksoi kandidati i ASHE-së për Tiranën, z. Erion Veliaj, duke siguruar qytetarët se vendimet e vështira do t’i marrë bashkë me ta, si qytetarë, si këshill bashkiak, si koalicion dhe si banorë të bashkisë më të madhe të Shqipërisë.

SHKARKO APP