Meta në Mallakastër: Shyqyri Kapllani përfaqëson të majtën e bashkuar
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, së bashku me kandidatin e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Mallakastrës, Shyqyri Kapllani, morën pjesë në një takim në qytetin e Ballshit.
Të pranishëm ishin edhe deputetët e LSI, Petrit Vasili dhe Robert Bitri si dhe deputeti i PS-së, Piro Lutaj.
Duke folur para qytetarëve në këtë takim, Lideri i LSI-së shprehu bindjen se Mallakastra do të tregojë me votën e saj plebishitare në 21 qershor, se do të jetë ndër të parat në krye të drejtimit të duhur duke votuar në mënyrën më bindëse Shyqyri Kapllani.
“Është kënaqësi e veçantë për mua që jam sot në Mallakastër dhe jemi sot këtu për të shprehur bindjen tonë se tani që edhe Tropoja jonë e dashur po shkon në drejtimin e duhur, Mallakastra pa asnjë diskutim që do të tregojë me votën e saj plebishitare në 21 qershor se do të jetë ndër të parat në krye të drejtimit të duhur duke votuar në mënyrën më bindëse Shyqyri Kapllanin. E them këtë me bindje sepse populli i Mallakastrës ka shkëlqyer në të gjitha momentet më të vështira dhe përcaktuese për historinë e vendit tonë dhe të kombit tonë”, tha Meta.
Në vijim të fjalës së tij, Kryetari i LSI-së u shpreh se vetëm mbështetja për të majtën e bashkuar, do të bëjë të mundur zgjidhjen e shumë problemeve.
“Po mallakastriotët janë njerëz që vërtet kanë sot shumë probleme dhe ne jemi të ndërgjegjshëm që në 18 muaj nuk mund të zgjidheshin shumë prej tyre, por e dini shumë mirë se vetëm mbështetja për të majtën e bashkuar, për këtë koalicion, që po bën reforma shumë të mëdha, do të bëjë të mundur që edhe shumë probleme, edhe shumë borxhe që kemi ndaj Mallakastrës dhe mallakastriotëve, t’i shlyejmë me punë duke filluar nga 21 qershorit, me kryebashkiakun e ri në Bashkinë e re të Mallakstrës Shyqyri Kapllanin dhe me Këshillin e ri me mazhorancë dërrmuese PS-LSI dhe gjithë koalicionin për “Aleancën për Shqipërinë Europiane”, tha Meta.
Lideri i LSI-së tha se reforma administrative territoriale është e një rëndësie historike, sepse krijon për herë të parë mundësinë që të bashkohen kaq shumë resurse.
“Të gjitha resurset e Mallakastrës do të na japin mundësinë për të bërë më në fund politika zhvillimi si pushtet vendor për të zgjidhur shumë çështje që deri më tani për shkak të këtij fragmentimi të jashtëzakonshëm ishin tërësisht të pamundura për t’u menaxhuar si kanalet vaditëse kulluese, problemet e ujit të pijshëm, menaxhimi i mbetjeve dhe probleme të tjera të mjedisit që është një shqetësim për banorët e Mallakastrës dhe për shëndetin tuaj dhe të fëmijëve tuaj, problemet e transportit e shumë çështje të tjera. Ndaj unë kam besim se me zgjedhjen plebishitare të Shyqyri Kapllanit si kryebashkiak i ri i Bashkisë së re të Mallakastrës dhe me një fitore të jashtëzakonshme të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” në Këshillin bashkiak, ne do të bëjmë të mundur që të fillojmë t’i zgjidhim të gjitha këto probleme përditë, dhe duke bashkëpunuar me të gjithë ju”, tha Meta.
Kreu i LSI garantoi për vëmendje maksimale edhe të institucioneve qendrore për zhvillimin projekteve në këtë zonë.
“Mallakastra ka bij të shquar dhe njerëz të cilët e duan Mallakastrën dhe kanë dëshirë të kontribuojnë për zhvillimin e kësaj zone dhe sëbashku me të gjithë intelektualët e Mallakastrës këtu, do të bashkëpunojmë ngushtë për të çuar përpara shumë projekte të cilat më parë ishin të pamundura, por sot janë të mundura falë kësaj reforme administrative-territoriale që i bashkon të gjitha resurset dhe pasuritë e Mallakastrës, por edhe falë një bashkëpunimi shumë të ngushtë me qeverinë e Edi Ramës, me koalicionin tonë dhe unë personalisht bashkë me Shyqyri Kapllanin do të trokasim në çdo derë e bashkë me Piron dhe gjithë këta shokët e tjerë, në çdo derë, që nga dera e Edi Ramës, e ministrave, e drejtorëve e donatorëve për të çuar përpara projektet me interes të popullit të Mallakastrës. Sepse ne nuk duam që të rinjtë e Mallakastrës dhe fëmijët e Mallakastrës të jenë krenarë jo thjesht për historinë e Mallakastrës, të të parëve të tyre për të cilën jemi krenarë të gjithë ne shqiptarët, por ne duam që të rinjtë e Mallakastrës që janë kaq shumë sot këtu e i përshëndes dhe fëmijët e Mallakastrës, ta shohin dhe të ardhmen këtu në Mallakastër”, tha Meta.
Në fund të fjalës së tij, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim u bëri thirrje edhe njëherë mallakastriotëve që të votojnë kandidatin e përbashkët Shyqyri Kapllani dhe “Aleancën për Shqipërinë Europiane”.
“Të gjithë të shkojmë të votojmë në 21 qershor, të mbështesim fuqishëm Shyqyri Kapllanin sepse ai përfaqëson të majtën e bashkuar në këto zgjedhje, përfaqëson një koalicion të jashtëzakonshëm dhe të jeni të bindur se pas 21 qershorit, gjërat do të fillojnë të ndryshojnë akoma më shpejt në Mallakastër për interesin e komunitetit tuaj të shkëlqyer. Ndaj, motra dhe vëllezër mallakastriotë, edhe njëherë ju ftoj të tregojmë që Mallakastra do të jetë në krye të drejtimit të duhur në 21 qershor. Mallakastra edhe në vitin ‘92, kur Saliu ishte në kulmin e fuqive dhe i hodhi hi syve të gjithë Shqipërisë, ishte nga të paktat rrethe që i tha “jo” dhe më pas vetëm 5 muaj më pas, në korrik të ’92-it, e gjithë Shqipëria u kthye në Mallakastër dhe e la Saliun në minorancë. Ndaj unë jam i bindur se Mallakastra do të jetë në krye të kësaj fitore të madhe në 21 qershor me kryebashkiakun e ri të Mallakastrës, Shyqyri Kapllanin. Fitore për Mallakastrën, fitore për të majtën e bashkuar. Rroftë populli i mrekullueshëm i Mallakastrës”, theksoi Meta.
Edhe deputeti i Partisë Socialiste, Piro Lutaj, kërkoi mbështetjen për kandidatin e përbashkët të ASHE-së, Shyqyri Kapllani.
“Aleanca për Shqipërinë Europiane” e cila po e çon Shqipërinë në rrugën e duhur ka zgjedhur kandidatin e duhur që ta çojmë edhe Mallakastrën në drejtimin e duhur. Ju ftoj të votoni për Shyqyri Kapllanin nr. 2. Votoni për këshilltarët e aleancës së majtë që t’i jepni kryetarit të ardhshëm të Bashkisë, aksesin e domosdoshëm që me mbështetjen e Edi Ramës dhe të Ilir Metës, të realizojë objektivat që i ka paraqitur dhe i ka parashikuar për gjithë territorin në Mallakastër. Ju ftoj që Mallakastra si gjithmonë t’i kujtojë kundërshtarit tonë politik datën 23 qershor të vitit 2013, ku ata morën vetëm 23 për qind. Ju siguroj që nuk kanë për ta harruar atë datë, por ne do të bëjmë ta harrojmë sepse në 21 qershor nuk do të marrin as 23 për qind. Votoni Shyqyri Kapllanin, votoni “Aleancën për Shqipërinë Europiane”, votoni Edi Ramën dhe Ilir Metën”, theksoi Lutaj.
Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Mallakastrës, Shyqyri Kapllani, shpalosi pika të programit të tij dhe u kërkoi votën qytetarëve për drejtimin e duhur, si të vetmen alternativë për zhvillimin e Mallakastrës.
Administrata e re e Bashkisë së Ballshit do të jetë në shërbim të qytetarëve për çdo shërbim të tyre dhe këtë e tregon më së miri, interesi që Qeveria Rama-Meta po tregon për Mallakastrën. Para pak ditësh ishte Kryeministri i Shqipërisë në këtë shesh dhe ai dha fjalën e duhur, në vendin e duhur në kohën e duhur për Mallakastrën, për atë që i duhet Mallakastrës për realizmin e atyre projekteve që e presin për të ndryshuar njëherë e mirë faqen e Mallakastrës dhe për ta ngritur atë në ato nivele që i takon jetës në tërë aspektet e shoqërisë sonë. I nderuar Kryetar i Kuvendit, z. Ilir Meta! Është nder i madh që ti je sot këtu midis nesh. Është vlerësim i madh për Mallakastrën por dhe Mallakastra ju do me shpirt e me zemër dhe pret më shumë nga të gjithë ne sëbashku. Unë kam besim se me kontributin tuaj dhe me iniciativën e Edi Ramës, Mallakastra do të marrë atë që meriton, Mallakastra do të ngrihet në ato nivele që i takon sepse populli i Mallakastrës nuk pret dinjitet nga pala tjetër që nuk ka alternativë. Alternativa jonë është alternativa më e mirë, dinjiteti është këtu mes nesh dhe Mallakastrës nuk i ka munguar asnjëherë dinjiteti”, theksoi kandidati i përbashkët i ASHE-së, Shyqyri Kapllani.
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputetët e LSI, Petrit Vasili dhe Robert Bitri si dhe deputeti i PS-së, Piro Lutaj, u ndal edhe në Fratar e Greshicë. Gjatë takimeve me banorët e Mallakastrës, Meta kërkoi mbështetjen maksimale për Shyqyri Kapllanin dhe garantoi se qeveria shqiptare shumë shpejt do të fillojë investimet për disa projekte në Mallakastër.