Meta në mbështetje të Dakos
“Më 21 qershor populli shqiptar do të shkojë të votojë duke na dhënë mundësinë, meqë realizuam një reformë historike si reforma administrative-territoriale, të kemi mundësinë ta implementojmë këtë reformë, në mënyrë që të gjithë qytetarët shqiptarë kudo ku jetojnë të kenë mundësi të gëzojnë shërbime sa më cilësore dhe të barabarta pa asnjë lloj diskriminimi, si ata që jetojnë në qendër të Durrësit, si ata që jetojnë në Kullë, si ata që jetojnë në Hamallaj e kështu me radhë.
Ndaj kjo votë, është një votë për zhvillimin e këtyre komuniteteve. Asnjë shërbim nga ato që ju keni patur deri më tani në komunat apo bashkitë ekzistuese, nuk do të largohet nga ju.
Vetem me këtë reformë shërbimet do të standardizohen dhe cilësia e shërbimeve që do t’i ofrohet këtyre do të jetë shumë më e lartë se sa deri më tani”.
Kështu u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta gjatë prezantimit të kandidatit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”për Bashkinë e Durrësit Vangjush Dako të programit në Kullë të Sukthit.
Duke shprehur besimin se Kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Durrësit do të jetë Vangjush Dako, Meta tha se me përvojën dhe eksperiencën e krijuar do të dijë të kurorëzojë me sukses administrimin në interes të qytetarëve dhe gjithë komunitetit të këtyre territoreve të reja të cilat i bashkohen Durrësit.
“Njëkohësisht, këtë bashkim hapësirash, territoresh, asetesh, resursesh e mbi të gjitha njerëzish ta kthejmë në një fuqi të madhe të ndryshimit dhe të transformimit për të realizuar me sukses një zhvillim të integruar për të gjithë bashkinë e re të Durrësit.
Copëzimi i jashtëzakonshëm për shkak të administrimit të vjetër të pushtetit vendor, me 400 komuna dhe bashki, e bënte të pamundur zgjidhjen e suksesshme të shumë problemeve të përbashkëta.
Kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Durrësit, Dako u angazhua për të vënë në punë dhe në interes të zhvillimit të gjithë këtyre zonave, rezervuarin dhe kanalet vaditëse dhe kulluese.
Por si mund të viheshin në punë ato deri më tani, kur kishim kaq shumë komuna të cilat ia kalonin përgjegjësinë njëra-tjetrës dhe askush nuk mbante përgjegjësi për ujin që mungonte për të vaditur tokat apo për kanalet që bllokoheshin dhe që përmbytnin tokat.
Ndaj krijimi i kësaj bashkie të re do t’i japë mundësinë për të patur një autoritet që do të kujdeset dhe do të marrë përgjegjësinë për këto shërbime të munguara deri më tani, për të gjithë banorët dhe fermerët e Sukthit dhe të gjithë komunave të tjera në Bashkinë e re të Durrësit”, tha Meta.
Ai siguroi se reforma administrative-territoriale do të rrisë bashkëpunimin dhe energjinë midis qeverisë qendrore dhe bashkive.
“Jam i bindur që zhvillimi i bujqësisë, i agrobiznesit, i agroturizmit, është një mundësi e jashtëzakonshme për të gjithë zonën tuaj e cila ka qenë një hambar për të gjithë qarkun e Durrësit, madje dhe për vendin në të kaluarën sepse ka njerëz shumë punëtorë dhe të cilat janë mjaft të përkushtuar.
Jam i bindur se dhe alternativa të tjera do të krijohen dhe do të shtohen për të gjithë banorët e Kullës dhe të Sukthit”, tha Meta.
Kreu i LSI-së u shpreh se zona e lirë ekonomike do të rrisë investimet dhe do të krijojë një potencial të ri zhvillimi e punësimi jo vetëm për banorët e kësaj zone, por për të gjithë vendin.
“Do të realizohet shumë shpejt dhe kanë nisur procedurat për një zonë të lirë ekonomike e cila do të bëjë të mundur përmes lehtësirave që krijon thithjen e investimeve të jashtëzakonshme që do të ketë nevojë për fuqi punëtore, jo vetëm për të gjithë këto njësi të cilat do të jenë pjesë e Bashkisë së Durrësit, por edhe për të tjera.
Ashtu sikurse, formimi profesional do të jetë në qendër të vëmendjes së qeverisë qendrore, por dhe të Bashkisë së re të Durrësit në mënyrë që të rinjtë t’i kualifikojmë, t’i trajnojmë, t’i përgatisim që të shkojnë në vendin e duhur për të punuar dhe jo thjesht për të marrë diploma fiktive në xhepin tyre.
Duke votuar Vangjush Dakon, ju keni votuar për një mbështetje të jashtëzakonshme nga ana e qeverisë dhe nga ana e kësaj mazhoranca për realizimin e gjithë atyre veprave të cilat do t’i japin zgjidhje shqetësimeve tuaja kryesore”, tha Meta.
KOHA JONË SONDAZH

