Meta në Pogradec krah Berishës: Bashkia në prag të falimentimit. T’i japim fund qeverisë që ka në program shpopullimin
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe Sali Berisha kanë zhvilluar ditën e sotme një takim elektoral me mbështetësit e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Pogradec në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit.
Nga atje Meta ka deklaruar se bashkia e Pogradecit është në prag të falimentimit pasi ka miliarda lekë borxhe, ndërsa shtoi se në vend po nxitet shpopullimi dhe largimi i rinisë. Meta komentoi më tej deklaratat e Ramës nga Himara, duke thënë se “hungërinte” për shkak se e di që është i ikur.
“Bashkia e Pogradecit është në prag të falimentimit. Ai duhet të iki se i kishte të gjitha mundësitë që të bënte diçka për Pogradecin dhe kurrë nuk e bëri. Pogradeci ka vuajtur si askush tjetër në këto katër vite edhe nga shpopullimi i rinisë. Një vend pa rini është si një shtëpi pa fëmijëve. T’i japim fund një qeverie që e ka në program shpopullimin. Këtu nxitet shpopullimi i të rinjve dhe të rejave nga trevat e vendit aty ku mundësitë për zhvillim janë të jashtëzakonshme por mungon vullneti. Fitorja është e padiskutueshme. Është në Tiranë me Belind Këlliçin, në Durrës me Igli Carën, në Elbasan me Luçiano Boçin”, u shpreh Meta.