Meta në protestë flet kundër SPAK-ut: Të bashkohemi me Kosovën për të shporrur armikun më të egër të saj
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në fjalën e mbajtur në protestën e thirrur nga PD tek Kryeministria, sulmoi sërish kreun e SPAK-ut si dhe ftoi kosovarët për të rrëzuar Ramën, pasi sipas tij, kryeministri i ka shërbyer Vuçiçit për të dëmtuar Kosovën.
“Turp për të gjithë ata këshilltarë opozitarë që nuk janë në protestë te bashkia se kanë frikë SPAK-un. Më keni dëgjuar kur them regjimi i Dum Dumanit. Ky (Edi Rama) e ka bazuar pushtetin e tij kriminal te Dum Dumanët, të cilët thonë afërmendsh që gjykatat do të vendosin atë që kërkon prokuroria. Duhet të mblidhemi të gjithë, t’i vëmë vizën një herë e përgjithmonë këtij regjimi që po zhbën identitetin tonë kombëtar dhe kulturor. Që kur u çlirua Kosova, armiqtë tanë ndoqën një politikë shumë të mençur dhe ne nuk arritëm të kuptonim strategjinë.
U përpoqën ta marrin kalanë nga brenda me Kalin e Trojës. Ai është armiku më i madh i Kosovës, nuk ia ka bërë asnjë Kosovës atë dëm të madh që i ka bërë Rama. Të bashkohemi me Kosovën për të shporrur armikun më të egër të Kosovës, që quhet Edi Rama.
Të gjithë duhet të dimë që Rama lobohet në Bruksel e Uashington nga armiqtë e Kosovës, për t’i ngulur thika Kosovës. Mos harroni se çfarë tha Rama në Kuvendin e Kosovës, tha se shikonte Shqipërinë e Kosovën me President të përbashkët. Ai donte të thonte atëherë që mos ta njihnin Kosovën, pasi në fund shtetet tona do të bashkoheshin. Kosova nuk ka asnjë njohje që kur është bërë Rama kryeministër, ka vetëm çnjohje. Është në shërbim të Serbisë”, tha Meta.