Meta në Vlorë: Mirënjohje për qytetarët dhe të rinjtë që dhuruan gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka falënderuar qytetarët dhe të rinjtë e qytetit të Vlorës, që sot ju përgjigjen thirrjes së ”Aleancës për Dhurimin e Gjakut”, për të dhënë kontributin e tyre në ndihmë të fëmijëve talasemikë. ”Një falenderim të veçantë kam për të gjithë të huajt, të cilët jetojnë në Vlorë dhe që në nderim të mikpritjes sonë tradicionale, dhuruan vullnetarisht gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë shqiptarë, duke dhënë një model frymëzues”,-shkruan Meta në facebook.
Postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta
Vlora ka qenë gjithmonë e para në udhëheqjen e kauzave sociale dhe kombëtare, duke dhënë edhe sot shembullin e saj të jashtëzakonshëm të solidaritetit me kauzën humane të dhurimit të gjakut.
Mirënjohje të gjithë qytetarëve dhe të rinjve vlonjatë, të cilët në këto momente kritike për shkak të pandemisë e masave kufizuese dhe kur nevojat për gjak janë të mëdha, ju përgjigjën thirrjes së ”Aleancës për Dhurimin e Gjakut”, për të dhënë kontributin e tyre human.
Një falenderim të veçantë kam për të gjithë të huajt, të cilët jetojnë në Vlorë dhe që në nderim të mikpritjes sonë tradicionale, dhuruan vullnetarisht gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë shqiptarë, duke dhënë një model frymëzues.
”Aleanca për Dhurimin e Gjakut”, si shprehje e dashurisë në veprim për njerëzit në nevojë, nuk do ndalet deri në përmbushje të misionit të saj fisnik e human.