Meta në Vlorë: Qytetarët të refuzojnë çdo ofertë për blerje votash! Zgjidhni kandidatët që luftojnë korrupsionin

Placeholder Image

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta këtë të premte ndodhet në Vlorë, pasi mori pjesë në ceremoninë e vlerësimit të pesë heronjve të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pas eventit, në një prononcim për mediat, kreu i shtetit u tha qytetarëve votues, që të refuzojnë çdo ofertë për blerjen e votës. Po ashtu Presidenti u bëri thirrje shqiptarëve që të zgjedhin me votën e tyre, ata kandidatë që luftojnë më shumë korrupsionin.

Për kreun e shtetit ka vetëm një interes që është Vlora, teksa ka deklaruar se nuk ka dyshime për blerje votash por një inkurajim publik nga vetë kryeministri Rama, referuar rastit të bisedës me Damian Gjiknurin e PS-së.

”Unë i ftoj të gjithë qytetarët e Vlorës, sidomos të rinjtë e të rejat, të nxitojnë drejt kutive të votimit më 25 prill. Të votojnë që vendi të rihyjë në shinat e demokracisë, të votojnë t’i japim shpresë të rinjve që të jetojnë dhe të punojnë këtu në Vlorë të mrekulleushme dhe Shqipëri.

I ftoj qytetarët e Vlorës, të rinjtë e të rejat të refuzojnë dhe denoncojnë çdo ofertë për blerje votash, të qëndrojnë fort ndaj çdo presioni, përpjekje për të shantazhuar e zhvlerësuar votën e lirë. I ftoj qytetarët të votojnë për kandidatet dhe kandidatët që luftojnë më shumë korrupsionin, dhe jo që bëjnë gjasme.

Korrupsioni, kapja e shtetit, kapja e institucioneve qendrore e vendore, me banditi e importuar nga Astiri, që ka ardhur për presion e blerje votash, ky është problemi kryesor pse largohen të rinjtë. Të mbështesin kandidatët që denoncojnë korrupsionin, dhe do kemi një Vlorë më të drejtë, një Shqipëri më të mirë. Dhe një Vlorë më të begatë”,-tha Meta.

PYETJA: Skraparin e keni lënë jashtë vëmendjes?

Unë kam qenë në Vlorë, gjatë aktiviteteve, së pari, së dyti Vlora është e të gjithëve, edhe e çdo Presidenti, aq më tepër i një Presidenti nga Skrapari, dhe nga Çepani që ka sjellë një çetë më vete. Do të vij më shpesh, edhe pse pushimet sivjet mund t’i kalojmë së bashku. S’ka dyshime, ka lidhje publike e inkurajim nga kryeministri. Përveç fakteve që i keni të gjithë.

SHKARKO APP