Meta në Vorë: Mbështetje bizneseve që gjenerojnë vende pune
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta mori pjesë në një takim me strukturat e Lëvizjes së Gruas për Integrim (LGI), ku u bë prezantimi i kandidatit për Bashkinë e Vorës, Luan Sallaku.
Në këtë takim, Kreu i LSI-së, shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, zv. Ministrja e Arsimit, Nora Malaj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta vlerësoi forcën e gruas në shoqërinë shqiptare dhe në Vorë. Kryetari i LSI-së u shpreh se mazhoranca PS-LSI, falë vullnetit të mirë arriti që të miratonte dhe ndryshimet ligjore për një përfaqësim të barabartë të femrave edhe në jetën publike.
“Unë besoj se edhe iniciativat që janë ndërmarrë, edhe fakti që për herë të parë u bë me ligj në Parlament që 50 për qind të listave të këshillave bashkiake të përbëhen nga gra dhe vajza dhe 50 për qind nga burrat, është një tregues i vendosmërisë sonë për të realizuar sa më shpejt barazi të plotë gjinore kudo. Në të ardhmen do të punojmë që edhe në Parlament të bëhet kjo gjë”, tha Meta, ndërsa theksoi se e majta dëshiron të realizojë një ndryshim të fortë për Vorën.
“Është zona e tillë që ka mundësi për të hapur fabrika të reja, për të hapur qendra të rëndësishme të përpunimit, sepse është pozicioni i tillë që është kosto e jashtëzakonshme interesante dhe me leverdi për çdo lloj investimi, si në drejtim të bujqësisë, agro-përpunimit, për eksporte, në drejtim të industrisë”, tha Meta.
Kryetari i LSI-së shprehu mbështetjen e institucioneve shtetërore për bizneset dhe për gjenerimin e vendeve të reja të punës, që do të punojnë edhe shumë gra dhe vajza nga zona e Vorës.
“Ne jemi këtu për këtë gjë që t’u japim fjalën që deri në 2017-n nuk do të ketë grua dhe vajzë në Vorë që nuk do të ketë vendin e punës nëse do të punojë”, tha Meta.
Kreu i LSI-së vlerësoi reformën administrative territoriale të bërë nga kjo mazhorancë, ndërsa theksoi se për nxitjen e investimeve nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë midis qeverisë dhe njësive vendore.
“Nuk zgjidhen problemet e Vorës dhe kudo në Shqipëri pa bashkëpunim të ngushtë me qeverinë. Çdo projekt që do të bësh do të aprovohet në qeveri, duhet të ulet kryetari i bashkisë të flasë me kryeministrin, me ministrin e Bujqësisë për gjithë problemet që ka zona juaj këtu lidhur me bujqësinë, me kullimin, me vaditjet, e kështu me radhë. Por këtë nuk mund ta bëjë një njeri i cili do të jetë peng i partisë së tij.
“Kjo është një aleancë kaq e fuqishme që besoj të gjithë e kanë të qartë, është një aleancë e fuqishme afatgjatë. Jo thjesht për të fituar zgjedhjet sepse nuk është ky qëllimi ynë, por është një instrument për të zgjidhur problemet që kanë njerëzit, për të ndihmuar Vorën që të ecë më shpejt dhe për të ndihmuar të gjithë Shqipërinë. Unë premtoj që ju do të keni përfaqësimin tuaj të duhur edhe në bashkinë e re të Vorës, do të keni përfaqësimin e duhur kudo në të gjitha nivelet . Ne do të jemi një mbështetje shumë e madhe për të gjitha gratë dhe vajzat e Vorës për të zgjidhur problemet tuaja me të cilat ju ndesheni çdo ditë pasi mbani peshën kryesore dhe në familje”, tha më tej Meta.