Meta: Nëse do kishim pasur Reformë në Drejtësi, autorët e dosjeve të Shijakut dhe Dibres s’do ishin sot kandidatë për deputetë
Në një intervistë për gazetarin Besnik Sulejmani në TV Apollon, Presidenti Ilir Meta deklaroi se Demokracinë në Shqipëri e ka kapur koncepti i partisë-shtet, përmes kapjes së të gjitha institucioneve.
“Demokracinë në Shqipëri e ka kapur koncepti i partisë-shtet, përmes kapjes së të gjitha institucioneve. Prandaj janë vendimtare zgjedhjet e 25 prillit për një restart të demokracisë, të shtetit të së drejtës, të garantimit të të drejtave kushtetuese që cenohen çdo ditë.
Të mos lejojmë më që autoritarizmi të bëjë një hap përpara, sepse një popull që fle në demokraci, zgjohet në diktaturë. Qe të parandalojmë një gjë të tillë duhet të mbrojmë sistemin duke reaguar sa herë preket e drejta dhe liria e çdo qytetari.
Kam fituar në çdo betejë me mazhorancën dhe këtë e ka konfirmuar edhe Komisioni i Venecias.
Nëse do kishim pasur Reformë dhe jo Ramaformë në Drejtësi, autorët e dosjeve të Shijakut dhe të Dibrës nuk do të ishin sot kandidatë për deputetë në Vlorë, në Tiranë, në Durrës, apo edhe në Dibër.
Nuk pres të kemi zgjedhje të standardeve daneze në një vend ku qeveria prish Marrëveshjen e 5 Qershorit dhe ndryshon Kushtetutën me një Kuvend që të gjithë shqiptarët e dinë se çfarë përfaqëson.
Janë zgjedhjet më të rëndësishme në 100 vitet që vijnë, që nga Kongresi i Lushnjës.
Unë kam besim te demokracia. Çdo qytetar te kutia e votimit do votojë të jetë në paqe për familjen e tij, për fëmijët dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Si mundet të kesh prioritet në periudhë pandemie të ndërtosh tunelin e Llogarasë, dhe jo si të rritësh ekonominë apo bujqësinë, të luftosh varfërinë dhe të ndalësh shpopullimin
Shikoni sa kemi dhënë ne për pandeminë, shikoni sa kanë dhënë vendet e tjera, sepse ne kemi investuar vetëm për zhvillimin e PPP-së
Këto nuk janë zgjedhje të rëndësishme për 4 vitet, por për 100 vitet që vijnë dhe kjo duhet të kuptohet qartë nga të gjithë. Asnjë qytetar nuk ka të drejtë nesër të ankohet për Qeverinë dhe për Parlamentin në rast se nuk shkon në votime për të zgjedhur dhe për të ndëshkuar këdo që i ka gënjyer, këdo që i bën presion apo tenton t’i blejë votën”, u shpreh Presidenti Ilir Meta.