Meta ngushëllime Gjermanisë për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta zhvilloi një vizitë në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë ku u takua me Ambasadorin, Hellmut Hoffmann, për t’i shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit, z. Richard von Weizsaecker.

Pasi nënshkroi një mesazh ngushëllimi në Librin e Ngushëllimeve, Kryetari i Kuvendit  në një prononcim për mediat vlerësoi kontributin e ish-Presidentit, Richard von Weizsaecker për Europën e Bashkuar dhe për afrimin Shqipërisë me Europën dhe me Gjermaninë.

“Ishte një detyrim për mua për të shprehur në librin e ngushëllimeve këtu në Ambasadën e Gjermanisë mirënjohjen dhe konsideratat më të larta për kontributin që Presidenti i ndjerë z. Richard von Weizsaecker ka dhënë, jo vetëm për përparimin e vendit të tij Gjermanisë, por edhe për Europën e Bashkuar dhe natyrisht edhe për afrimin e Shqipërisë me Europën dhe me Gjermaninë. Kam patur kënaqësinë që ta njoh edhe nga afër kur kemi qenë sëbashku për një periudhë të caktuar në Komisionin  Ndërkombëtar për Ballkanin që drejtohej nga kryeministri Giuliano Amato. Kam qenë gjithmonë i prekur nga dimensioni i tij i jashtëzakonshëm njerëzor, por edhe nga vëmendja e tij për Ballkanin Perëndimor dhe për Shqipërinë në mënyrë të veçantë”, theksoi z. Ilir Meta. 

SHKARKO APP