Meta nis fushatën e zgjedhjeve vendore

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi një takim me strukturat e LSI-së në Kukës në kuadër të zgjedhjeve lokale të 21 qershorit. Duke folur para anëtarëve të dhe simpatizantëve të LSI-së, Meta bëri me dije se është rënë dakord tashmë me edhe Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama për formën e bashkëpunimit në zgjedhje së bashku me koalicionin e Aleancës për Shqipërinë Evropiane.

“Sigurisht, që një ndër qytetet më kryesore ku LSI-ja do të angazhohet për të propozuar, jo vetëm kryetarin e ardhshëm të bashkisë së ardhshme të Kukësit që është një koncept krejt i ri me reformën administrative-territoriale që kemi aprovuar, por njëkohësisht edhe në kuadër të atij progresi që ne presim të sjellë kjo reformë në drejtim të realizmit të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe ndaj komuniteteve kudo në të gjithë vendin. Kukësi, për ne si Aleancë për Shqipërinë Evropiane, për Lëvizjen Socialiste për Integrim, por dhe për mua personalisht, përbën një prioritet mbi prioritetet për arsye të cilat kanë të bëjnë jo vetëm me përkrahjen shumë të gjerë që ne patëm në zgjedhjet e fundit, por mbi të gjitha, me gjithë traditën, historinë e kësaj zone dhe mbi të gjitha me problemet e mprehta sociale dhe ekonomike që ju ndesheni në mënyrë të vazhdueshme”, tha Meta gjatë fjalës së tij.

Lideri i LSI-së deklaroi se Kukësi ka akoma më shumë probleme ashtu si edhe shumë zona të tilla të ngjashme, jo vetëm në veri, por edhe në juglindje të vendit, të cilat po përballen me një gamë të gjerë problemesh të mprehta sociale për t’u ndeshur seriozisht dhe ballë për ballë me papunësinë.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Dhe unë kam besim që ne do të arrijmë përmes jo vetëm kandidatëve tanë, jo vetëm përmes programit tonë, por edhe përmes bashkëpunimit të gjerë, jo vetëm me socialistët, jo vetëm me LSI-stët, por edhe me të gjithë demokratët e ndershëm në Kukës edhe kudo, me të gjithë qytetarët e pa parti, por që duan zgjidhje, që duan punë, që nuk duan fjalë boshe, që nuk duan harxhim energjish për të kaluar, por duan zgjidhje, do të arrijnë të tregojnë se Kukësi mund të ecë në rrugën e progresit social, mund të ecë në rrugën e punësimit, mund të ecë në rrugën e dëgjimit të problemeve konkrete që kanë qytetarët e Kukësit”, shtoi z. Meta.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sakaq, lideri i LSI-së theksoi se suksesi do të bazohet në bashkëpunim mjaft konstruktiv me Partinë Socialiste, me faktorët e tjerë të Aleancës për Shqipërinë Evropiane, me faktorët e rinj të cilët synojnë të afrohen në këtë koalicion mjaft të qëndrueshëm dhe pa asnjë diskutim fitues, por natyrisht që kjo kërkon edhe dëgjimin e intelektualëve të Kukësit, të shoqërive civile, të të gjithë atyre që janë angazhuar për një kohë të gjatë me projektet nga më të ndryshmet dhe që kanë ide konkrete dhe propozime konkrete për ta zhvilluar Kukësin, edhe sigurisht edhe me mbështetje edhe më të fortë dhe akoma më konkrete midis qeverisë dhe pushtetit vendor.

“Unë besoj se ne jemi në gjendje plotësisht ta fitojmë këtë sfidë, dhe kur themi të fitojmë këtë sfidë, jo thjesht të fitojmë zgjedhjet e 21 qershorit, por të tregojmë se Kukësi mund të ndryshojë shumë shpejt dhe potenciali kryesor për këtë ndryshim ndodhet pikërisht këtu në Kukës, por ne duhet ta vëmë në lëvizje. Jam i bindur se këto zgjedhje kërkojnë një përfshirje sa më të gjerë të të gjithë qytetarëve të të gjithë kategorive shoqërore, por në mënyrë të veçantë një përfshirje sa më të gjerë të grave dhe të vajzave dhe të rinjve”, tha z. Meta, teksa shprehur kënaqësinë për pjesëmarrjen në ktë takim të shumë zonjave të nderuara, vajzave dhe të rinjve.

“Kjo do të thotë që shikoj të ardhme për Kukësin, familjet e Kukësit dhe për komunitetin tuaj. Besoj se dhe përfaqësimi i tyre në listat e kandidatëve për këshillin e Bashkisë së Kukësit, që do ta meritojë plotësisht pas 21 qershorit fjalën ‘Parlamenti i Kukësit’, sepse do të ketë një këshill bashkiak për të gjithë bashkinë tashmë të madhe dhe mjaft përfshirëse në mënyrë që të ketë një peshë reale fjala e qytetarëve, një peshë reale vota e qytetarëve dhe kontrolli i tyre për të gjitha investimet që do të zhvillohen në Kukës në mënyrë që të mos na përsëritet tragjedia me ujësjellësin e Kukësit”, nënvizoi Kryetari i LSI-së.

Gjithashtu, z. Meta bëri me dije se në Kukës u investuan me miliona euro, por uji ende nuk ka ardhur, teksa premtoi se ky është një problem që do të marrë zgjidhje së shpejti. “Janë të angazhuar edhe ekspertët më të mirë për të bërë të gjitha përmirësimet në projekt dhe të gjitha investimet që do të duhen për të sjellë ujin në Kukës, jo thjesht për të vendosur tuba dhe për të bërë investime, të cilat nuk sjellin produkt, por ama një dëm shumë i madh i është bërë këtij qyteti dhe sot e kësaj dite, edhe tani që jemi në dimër, Kukësi e ka këtë problem dhe këtë shqetësim madhor”, vijoi z. Meta.

Sa i përket punësimit dhe politikave stimuluese, z. Meta premtoi se në vitin e parë të mandatit në Kukës do të hapen 100 vende pune. Unë do ju jap fjalën, që ashtu siç e mbajta premtimin në zonën nga unë vij, nga Skrapari, ku janë hapur 200 vende të reja pune, në vitin e parë të mandatit të ardhshëm të kryetarit të bashkisë do të hapen 100 vende të reja pune. Pra një politikë konkrete të nxitjes së punësimit, ka një fond konkret të nxitjes së punësimit. Sigurisht situata ekonomike në vend nuk është një situatë e mrekullueshme, por mos besoni ju se në Itali është e mrekullueshme. Mos besoni ju se në Greqi është e mrekullueshme, Europa ka problemet e saj, bota ka vështirësitë e saj”, deklaroi Kryetari i LSI-së.

Z. Meta theksoi se opozita aktuale bën mirë të marrë përgjegjësitë për të kaluarën, të marrë përgjegjësitë për borxhin e jashtëzakonshëm që la, të marrë përgjegjësitë për pagesat e mbartura ndaj firmave të cilët kryejnë punët publike dhe merrnin kredi nëpër banka, për të marrë përgjegjësi për atë situatë alarmante të defiçitit dhe të gjithë këtyre shqetësimeve të mëdha që e detyruan qeverinë aktuale në emër të stabilitetit të vendit, në emër të qëndrueshmërisë së vendit të bënte edhe marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar, marrëveshje që i ka dhënë tashmë efektet e saj stabilizuese dhe gjallëruese për ekonominë.

Në mbyllje të fjalës së tij, Kryetari i LSI-së shprehu besimin se kjo forcë politike ka një avantazh në raport me të tjerët, pasi ka vendosur që të përmirësohet çdo ditë.

“Dhe besoj se kjo është rruga më e drejtë dhe kjo ndodh vetëm si rezultat i komunikimit me ju dhe mbi të gjitha një komunikim i gjithë ne me qytetarët anembanë vendit për të dëgjuar shqetësimet e tyre për të reflektuar dhe për t’i bërë ata pjesë të zgjidhjes së problemeve që ka çdo qytetar, që ka çdo komunitet dhe të atyre që ka i gjithë vendi ynë së bashku. Kjo është arsyeja që LSI, që Aleanca për Shqipërinë Europiane gjejnë mbështetje gjithnjë e më të gjerë dhe më të plotë sepse përfaqësojnë rrugën më të drejtë ku duhet të ecë Shqipëria, edhe në 21 qershor pasi e hapi këtë rrugë në mënyrë të vendosur në 23 qershor të vitit 2013”, përfundoi z. Ilir Meta.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?