Meta: Nuk kam folur me Ramën për Guvernatorin e ri të BSH
Kryeparlamentari Ilir Meta ka deklaruar se me kryeministrin Rama nuk ka diskutuar për Guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë.
I pyetur nga gazetarët se a do të digjen mandatet në 24 dhjetor nëse opozita nuk hyn në Kuvend, Meta u përgjigj se janë plotësuar të gjitha kushtet që opozita të marrë përgjegjësitë e saj në Kuvend.
“Ne besojmë se i kemi plotësuar të gjitha kërkesat e opozitës, edhe ato për komisionet hetimore, edhe për të drejtën e fjalës të përfaqësuesit të opozitës pas kryeministrit, që do të thosha që është një rast unik në historinë e parlamentarizmit, pasi besoj se nuk ka një rast të dytë në Europë që është edhe kontinenti më demokratik.
Presidenti ka përmbushur obligimet e tij kushtetuese, edhe Kuvendi do të përmbushë detyrimet e tij kushtetuese dhe ligjore. Për këtë cështje nuk kam diskutuar me kryeministrin Rama.
Unë besoj se janë plotësuar të gjitha kushtet që opozita të marrë përgjegjësitë e saj në Kuvendin e Shqipërisë.”
Prononcimi i plotë i dhënë për mediat nga Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta
Ndërsa Kryeministri Rama është shprehur se nuk e ka të qartë se çfarë kërkon opozita në Kuvend dhe kjo e fundit ka përcaktuar se një nga kushtet është dekriminalizimi i Kuvendit, ju jeni pro apo kundër një ligji të tillë?
Ne jemi të hapur për të diskutuar dhe për të çuar përpara çdo propozim të opozitës që ndihmon në rritjen e transparencës së Kuvendit dhe njëkohësisht edhe të vetë deputetëve.
Ka pasur deklarata se është duke u negociuar me opozitën. Çfarë është duke u negociuar me opozitën dhe a është faktori ndërkombëtar në këtë mes?
Ne besojmë se i kemi plotësuar të gjitha kërkesat e opozitës dhe ato për komisionet hetimore, edhe për të drejtën e fjalës së përfaqësuesit të opozitës pas kryeministrit, që do të thosha është edhe një rast unik në historinë e parlamentarizmit pasi nuk besoj se ka një rast të dytë në Evropë, që është edhe kontinenti më demokratik deri më tani.
Si e shikoni procedurën e ndjekur nga Presidenti Bujar Nishani për Guvernatorin e Shqipërisë dhe a do të votoni pro kandidaturës së tij?
Presidenti ka përmbushur obligimet e tij kushtetuese. Edhe Kuvendi do të përmbushë detyrimet e tij kushtetuese dhe ligjore.
Jeni takuar sot me Kryeministrin Edi Rama, a keni diskutuar për Guvernatorin e ri?
Jo për këtë çështje nuk kemi diskutuar.
Vjen z. Kukan javën tjetër. Me çfarë misioni vjen z. Kukan në Tiranë dhe a do të jetë ai njëri mes negociatorëve mes dy palëve?
Kukan është një personalitet i nderuar i parlamentit europian dhe i politikës europiane. Gjithmonë në krye të përpjekjeve të parlamentit europian për të mbështetur Shqipërinë për tu integruar në Europë dhe për të arritur standardet europian. Z. Kukan është gjithmonë i mirëpritur dhe çdo përfaqësues tjetër i parlamentit europian.
Ka një debat mbi djegien e mandateve të opozitës, a është data 24 afati final që parashikohet në rregulloren e Kuvendit dhe në Kushtetutë për djegien mandateve të opozitës nëse nuk paraqitet në këtë seancë?
Unë besoj se janë plotësuar të gjitha kushtet dhe janë pjekur të gjitha kushtet që opozita të marrë të gjitha përgjegjësitë e saj në Kuvendin e Shqipërisë.
Në rast të kundërt, do të digjen mandatet e opozitës?
Edhe njëherë theksoj se janë plotësuar të gjitha kushtet, janë pjekur të gjitha rrethanat që opozita të përmbushë të gjitha detyrimet e saj kushtetuese dhe parlamentare para votuesve të saj në radhë të parë dhe para vendit.