Meta nxjerr pjesë nga dosja e ish-sigurimit: Autoriteti është aneks i qeverisë!
Në një konferencë për mediat, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka publikuar sot pjesë nga dosja e ish-Sigurimit të Shtetit, dhe thotë se shtetasi F.T, nuk e ka përmenduar asnjëherë emrin e tij.
Meta u shpreh se Autoriteti i Dosjeve është kthyer në aneks të qeverisë dhe të Bashkisë së Tiranës.
“Autoriteti ka prodhuar gjeneralitete të rreme për qëllime të pastra politike. Në asnjë dokument, edhe ato të falsifikuara, nuk rezultojnë gjeneralitetet Ilir Rexhep Metaj. Autoriteti bën çuditërisht edhe propozime për Kodin Zgjedhor. U hetua për 24 orë dhe duke shkelur ligj se gjoja personi me inicialet I.M na ishte ish-Presidenti i Republikës. Autoriteti nuk pati asnjë dokument që mund të lidhte figurën e Ilir Rexhep Metajt si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit”, tha Meta.
“Këtu nuk ka lidhje autoriteti i Dosjeve me mua. Kush e pengoi atë të më thërriste dhe të jepja sqarime. Unë jam hetuar dy herë nga komisionet e mëparshme, por kam bërë edhe një deklaratë që në rast se gënjej dhe nuk kam qenë bashkëpunëtor si e përcakton ligji marr përsipër përgjegjësi penale. Autoriteti është aneks i qeverisë dhe bashkisë së Tiranës. Si mund të nxjerrësh të dhëna që janë sekret dhe ja çon Kuvendit dhe pas tri ditësh i deklasifikon. Pra aty është vënë dorë. Ka pasur tre persona me iniciale I.M. Në regjistër na vinin emrin e babait që mësuesit të mos na ngatërroni. Kush i kërkoi autoriteti verifikimin e Ilir Metës, çfarë urgjence kishte. Kishin bërë gati një projektligj si shpjegohet kjo. Për të gjitha shkeljet duhet të përgjigjen penalisht sepse janë bërë pjesë e një manipulimi. Kanë tromaksur edhe kryetaren e Kuvendit, që nuk u tromaks kur falsifikuan edhe firmën e Gramoz Ruçit”, tha Meta.