Meta-opozitës: Kot e keni, zgjedhjet i keni fituar
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka preferuar t'i përgjigjet përmes një batute akuzave të Partisë Demokratike në lidhje me akuzat për zgjedhjet.
"Kot e keni, i keni fituar zgjedhjet", ishte batura e Metës, pasi deputetët e opozitës Oerd Bylykbashi, Astrit Patozi dhe Genc Pollo, akuzuan mazhorancën se manipuluan procesin zgjedhor dhe vullnetin e qytetarëve përmes presioneve dhe shit-blerjes së votave.
Duket se Meta ka shfrytëzuar për këtë batutë deklaratën e parë të kreut demokrat Lulzim Basha më 21 Qershor, pak pas mbylljes së procesit zgjedhor, ku ai pohoi se zgjedhjet u fituan nga PD, duke i cilësuar ato si një hap i madh përpara.
Në fjalën e tyre deputetë të opozitës vunë dukje se procesi i 21 qershorit ishte jashtë standardeve, ndërsa renditën parregullsitë e tij duke filluar me blerjen e votës, presionin, dhunën ndaj votuesve, etj.
Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi në fjalën e tij tha se raporti paraprak i ODIHR-t listoi një numër shkeljesh të standardeve të OSBE-së, që tashmë, tha ai, opozita i ka të dokumentuara me fakte.
Ai akuzoi maxhorancën se jo vetëm nuk i largon të inkriminuarit nga parlamenti, por i rikandidon ata, pavarësisht CV-ve të tyre kriminale.
"Shembujt janë në Kavajë, Kruja e bashki të tjera dhe për këtë nuk u ndalët as nga marrëveshja e 24 dhjetorit dhe as nga presioni i ndërkombëtarëve”, iu drejtua Bylykbashi deputetëve të majtë.