Meta paralajmëron Ramën: Unë i bie më të fortit, e këpus në mes. Shtatori do jetë përvëlues
Gjatë një takimi me strukturat e Partisë së Lirisë së Tiranës, Ilir Meta, ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama se e pret një betejë e fortë politike. Po ashtu Meta tha se do ta shembë sistemin e kalbur dhe të korruptuar që ka krijuar kryeministri.
“Edhe pse ju duket gushti pak si i nxehtë, të jeni të sigurt se shtatori do të jetë përvëlues për këtë sekt të korruptuar. Për këtë sekt që ka humbur çdo lidhje me vendin, me qytetarët, me hallexhinjtë, me njerëzit e ndershëm. Këtë sekt që nuk ngopet së torturuari dhe shkaktuari vuajtje ndaj qytetarëve më të rregullt dhe më të thjeshtë të vendit tonë. Unë jam këtu që të mbaj premtimet dhe premtimi im është se siç shemba në emër të ligjit dhe të ardhmes së Tiranës, gjithë kioskat e të fortëve e Parkut Rinia dhe të tutorëve të Edit, kështu do të shemb i pari unë dhe ju, një milion qytetarë të Tiranës, të gjithë së bashku, këtë kalbësirë, regjim që vetëm vjedh, mashtron, grabit, tjetërson pronat e qytetarëve me falsifikime”, deklaroi Meta.
Ndër të tjera, Ilir Meta dha një mesazh për Edi Ramën, që duket një paralajmërim i fortë. “Si çun i Pazarit të Ri, dua t’i them çunit të Kristaqit, që edhe ai e di që unë këtë e kam mësuar nga “Pazari i Ri”, unë i bie më të fortit, ky nuk është më i forti, por bën si më i forti. E këpus në mes, që t’i duket Erioni Kolonjës gjigant. Edhe unë i bie vetë, s’ka nevojë, i bie me kënaqësinë më të madhe, i bie në emër të Shqipërisë”.