Meta: Pas 24 korrikut 2022, do ti rikthehem politikës aktive
Ilir Meta ka zbuluar sonte se plani i tij ka qenë që të qëndronte edhe një mandat tjetër si president.
Por mënyra sesi u zhvilluan zgjedhjet e 25 prillit, e detyruan që të marrë tjetër drejtim. I ftuar në “Çim Peka Live”, Meta tha se pas 24 korrikut 2022, do t’i rikthehet politikës aktive, pas 5 viteve në krye të shtetit.
“Plani im ishte të bëja edhe një mandat tjetër si President. Gjatë kësaj kohe të riparojmë disa gjëra në kushtetutë, edhe për popullin, por edhe për institucionin e Presidentit që të ketë mundësi, instrumente të mbrojë shtetin nga pushteti.
Gjithmonë shteti kërcënohet nga pushteti i radhës kushdo qoftë. Ilir Meta si person i ka përballuar dhe do t’i përballojë të gjitha vështirësitë e tij deri në 24 korrik. Por një president tjetër duhet të jetë një president që të mbrojë shtetin”, u shpreh Meta.