Meta pas takimit me Kukan: Shpresoj që PD të vijë në Kuvend para Krishtlindjeve
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta uroi që bojkoti parlamentar nga ana e Partisë Demokratike të ndërpritet përpara Krishtlindjeve.
Meta zhvilloi një takim me europarlamentarin Eduard Kukan, i cili prej të dielës ka nisur një vizitë zyrtare në Tiranë si negociator mes opozitës dhe Qeverisë për arritjen e një marrëveshjeje mes palëve dhe zgjidhjen e ngërcit politik të krijuar si rezultat i bojkotit të Kuvendit nga Partia Demokratike.
“Besoj se janë plotësuar të gjitha kërkesat kryesore të opozitës dhe çdo kërkesë që synon funksion demokratik të Kuvendit ka qenë dhe mbetet e mirëpritur. Jemi të vendosur për transparencë, opozita është e mirëpritur në çdo moment për të përmbushur rolin saj dhe funksionet në parlament, do shpresoja shumë që kjo gjë të ndodhte para krishtlindjeve",tha Meta në një prononcim për mediat pas takimit me Kukan.
Në vijim ai shtoi se ky është momenti të flasim për përfshirje dhe jo për djegie të mandateve, të ndajmë politikën tonë njëherë e mirë nga fryma e bojkotit dhe konflikteve, të krijojmë traditë të qëndrueshme të në demokracisë funksionale dhe të një dialogu për realizimin e reformave që kërkon vendi.
"Shpresoj që angazhimi i dy eurodeputetëve të jetë i suksesshëm, bashkëpunimi me PE më duket i natyrshëm. Është e rëndësishme që të ecet përpara drejt një dialogu të qëndrueshëm e afatgjatë që ndihmon Shqipërinë të përmbushë detyrimet për reformat për në Bashkimin Europian”, tha Meta.