Meta për Portin e Durrësit: Apartamentet e Ramës do përjashtohen nga taksat! Vjedhje e madhe
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka sulmuar ashpër qeverinë Rama për projektin për portin e ri të Durrësit, duke e cilësuar një megaaferë.
Ai tha se gjithçka bëhet për apartamentet dhe jo një vepër strategjike.
“Parlamenti me nxitim dhe përmes sulmeve nga përfaqësues të maxhorancës bërë ndaj deputetëve të opozitës, thellon përgjegjësitë për megaaferën e madhe siç është grabitja e portit të Durrësit, aseti më i madh i Shqipërisë. Kryeministri në flagrancë, është iniciuesi i grabitësit, sot është nën akuzë para shqiptarëve, pasi faktet flasin vetë dhe janë të rënda. Prona më e rëndësishme në pikëpamje strategjike do u jepet kompanive guackë, me pronarë të fshehur, me fonde të panjohura dhe që s’ju dihet origjina e tyre. Asnjë shqiptar se di se ku po përfundon. Ky nuk është projekt strategjik, pasi do të ketë hotele dhe apartamente. Gjithçka është e projektuar te biznesi i apartamenteve dhe prona strategjike si porti falet për apartamentet. Do të falen qindra milionë euro taksa, falen 820 mijë metra katrorë me një vlerë edhe kjo qindra milionë euro, është parashikuar edhe fond për shpronësime të tjera dhe e gjithë kjo, do të bëhet për të ndërtuar apartamente.
Përjashtimi nga taksat është një shkelje flagrante e Kushtetutës, pasi trajton në mënyrë të diferencuar bizneset e një kategorie, pra në Durrës, kompanitë e ndërtimit të zakonshme do të paguajnë 7% taksë (4% për Taksën e Ndikimit në Infrastrukturë dhe 3% Taksa e Strehimit Social), ndërsa apartamentet e Edi Ramës do të përjashtohen nga kjo taksë. Ashtu siç duket nga Plani i Financimit të Projektit, është e qartë se kemi të bëjmë me një skemë të pastrimit të parave, sepse vetëm 6.8% e investimit prej 2 miliardë Euro, do të financohen përkatësisht: 3.4% nga aksionerët dhe 3.4% nga Bankat. Pra, rreth 130 milionë euro. Ndërsa pjesa tjetër, 93.2% do të jetë me vetë-financim, pra, prit të shiten apartamentet që investimi të vazhdojë…”, tha Meta.