Meta: Përmirësim legjislacionit, e drejta e informimit mbetet një e drejtë universale
“E drejta e informimit është një e drejtë universale. Çdo qytetar duhet të ndihet i vetëdijshëm për të drejtën e informimit por edhe për të drejtën për mbrojtjen e të dhënave personale”. Kështu ka seklaruar sot kreu i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë konferencës “E drejta për informim”, teksa shprehu gjithashtu bindjen se Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si institucion i pavarur do të përmbushë sfida të rëndësishme.
“Do të përmirësojmë legjislacionin. E drejta e informimit është një e drejtë universale që garantohet nga konventa të ndryshme. Jam i bindur se Komisionieri si institucion i pavarur me ligj, do të përmbushë sfida të rëndësishme. Do të garantojë nga njëra anë, mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarit dhe nga ana tjetër informimin e tij, transparencën e institucioneve etj”, u shpreh kreu i Kuvendit.
Ndërsa nga ana e tij, komisioneri Besnik Dervishi, tha se fjala e Kuvendit është garanci për institucionin që ai drejton, por në të njëjtën kohë edhe për të gjitha institucionet e pavarura në vend.
Kurse ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito shtoi se qeveria është e angazhuar për të garantuar gjithmonë e më shumë transparencë, në dobi të përmirësimit të shërbimeve publike.
“Qeveria është e angazhuar për të garantuar gjithmonë e më shumë transparencë. Transparenca na duhet së pari, për të garantuar llogaridhënie. Ku ka llogaridhënie, ka performancë më të lartë, e kjo sjell përmirësimin e shërbimeve publike. Për të garantuar këtë përpjekje të qeverisë, u aprovuan 2 ligje gjatë këtij viti, ligji për informimin dhe konsultimin publik”, bëri me dije Harito.