Meta përshëndet aktin e njohjes nga Vatikani të mrekullisë së dytë të Nënë Terezës
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta përshëndet aktin e njohjes nga Vatikani të mrekullisë së dytë të Nënë Terezës.
Ka ndodhur ajo që e shpresonin, prisnin dhe besonin shumë njerëz: Nënë Tereza është në rrugën e Shenjtërimit. Ati i Shenjtë ka njohur mrekullinë e një shërimi të pamundur që ka kryer Nëna e Madhe.
Një shërim më shumë që Nënë Tereza i ka bërë shumë dhembjeve në botë, kur ka pakësuar lotë e trishtim dhe ka afruar më shumë besim, bukë e buzëqeshje.
Nënë Tereza, kjo Shenjtore e re që po i falet gjithë komunitetit katolik, por dhe gjithë botës, pavarësisht rracës, besimit, gjuhës me të cilën bëhen lutjet dhe emrit me të cilin thirret Zoti, është mesazhi i madh i dashurisë. I dashurisë së madhe për punët e vogla që e bëjnë gjithë botën një vend më të mirë për të jetuar. Mirënjohës për të moshuarit dhe mikpritës për fëmijët.
Ky është një çast emocionues, është një moment reflektimi për çfarë mund të bëjmë të gjithë më mirë, për të gjetur forcën e faljes dhe për të falur forcën e gabuar, për të vënë pranë mendjes edhe zemrën kur merren vendime që prekin mendje dhe zemra të tjera.
Nënë Tereza na ka afruar krenarinë e pafundme e të qenit shqiptar sepse Gruaja e madhe e gjithë botës ishte shqiptare nga gjaku, por Nënë Tereza, kjo Shenjtore e besimit dhe shërbesës, ka bërë padyshim edhe gjithë botën më të mirë!
KOHA JONË SONDAZH

