“Meta President”, deputetja e LSI: Ende s’ka mbaruar detyrën si kryetar Kuvendi
Pak orë pas deklaratës së ministrit të PS-së të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, i cili hodhi në publik tezën se kreu i LSI-së Ilir Meta duhej të bëhej President i Republikës, një ide që u përcua edhe nga deputeti tjetër i PS-së Arben Çuko, ka ardhur dhe reagimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj përmes një komenti në faqen e saj zyrtare në rrjetin social “Facebook”, deputetja Mehmetaj i kujton përfaqësuesve të Partisë Socialiste se Meta nuk e ka mbaruar ende detyrën si kryetar Kuvendi, ndërsa sipas saj roli i tij ngelet i pazëvendësueshëm. Nga ana tjetër Mehmetaj ka ritheksuar edhe një herë rëndësinë e Metës në krye të LSI, në një kohë kur sot u shpall kandidatura e tij për zgjedhjet që do të mbahen brenda partisë më 6 nëntor, për kreun e ri. Ndërkohë, përball tij do të jetë akademiku dhe kryetari i LSI-së për Tiranën, Shezai Rrokaj. Nënkryetarja e LSI-së ka mbështetur hapur kandidimin e Metës, duke e konsideruar atë si kandidatin kryesor, drejtuesi dhe inspiruesi që do ketë sukses për zgjedhjet e ardhshme.
“Unë mendoj se Z. Meta ndihet i respektuar nga vlerësimi i disa prej figurave të Partisë Socialiste që e shohin së pari si njeriun konsensual dhe konstruktiv dhe si Presidentin e ardhshëm të Shqipërisë. Megjithatë them se detyra e Metës si kryetar i parlamentit ende nuk ka mbaruar dhe roli i tij konstruktiv është dhe mbetet i pazëvendësueshëm në këto kohë tensionesh të mëdha politike. Lëvizja Socialiste për Integrim këto ditë po futet në një proces zgjedhor ku z. Meta është kandidati kryesor dhe në këtë moment të rëndësishëm politik për LSI-në, ai është drejtuesi dhe inspiruesi i pazëvendësueshëm në suksesin e zgjedhjeve të ardhshme. Duke gjykuar si një e re, e cila ndodhet në politikë sepse Ilir Meta, si askush tjetër në politikën shqiptare, ka besuar tek të rinjtë, mendoj se kauza e tij për promovimin e të rinjve ka akoma shumë rrugë për të bërë. Pse jo, do e quaja edhe një detyrim të tij që duhet çuar deri në fund!”, thekson në mesazhin e saj, Kejdi Mehmetaj.
KOHA JONË SONDAZH

