Meta pret ambasadorin e OSBE-së: Standardet e zgjedhjeve, përcaktuese për dinamikën e integrimit
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot ambasadorin e ri të OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, të cilit i uroi mirëseardhjen në Tiranë dhe i uroi suksese në detyrën e re. Meta vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me OSBE dhe vuri në dukje se Kuvendi është i gatshëm ta intensifikojë atë më tej.
Në këtë kuadër u vlerësua kontributi i kësaj organizate në drejtim të përmirësimit të aktivitetit parlamentar në Shqipëri, duke mbështetur rritjen e standardeve të transparencës, monitorimit dhe përcjelljes së aktivitetit parlamentar më pranë qytetarëve shqiptarë.
Ambasadori Borchardt shprehu kënaqësinë e rikthimit në Shqipëri, në krye të Prezencës së OSBE-së dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar më tej bashkëpunimin me Kuvendin, si dhe vullnetin për të mbështetur avancimin e reformës elektorale sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
Kryeparlamentari Meta nënvizoi në përfundim rëndësinë e çdo ndryshimi që prej reformës elektorale që garanton transparencë maksimale të procesit zgjedhor, pasi standardet e zgjedhjeve të ardhshme do të përcaktojnë jo vetëm legjitimitetin dhe integritetin e institucioneve të reja, por edhe dinamikën e integrimit evropian për të ardhmen.
Diplomati 61 vjeçar gjerman Bernd Borchardt para emërimit në krye të Prezencës së OSBE-së në Tiranë ka mbajtur postin e shefit të zyrës së EULEX-t në Kosovë. Ai rikthehet në Shqipëri pas gjashtë vitesh, pasi më pare ka drejtuar misionin diplomatik të Republikës Federale Gjermane në Tiranë, në vitet 2007-2010.
KOHA JONË SONDAZH

