Meta pritet në Komunat Arbëreshe të Italisë

 

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, shoqëruar prej deputetëve Fatmir Toçi dhe Blendi Klosi u pritën sot nga drejtuesit lokalë (Kryetarët e Bashkive, Prefekti dhe Kryetari i Këshillit Rajonal të Kalabrisë) dhe komunitetet e 5 komunave të Unionit të Arbërisë në Kalabri, San Cosmo Albanese, San Demetrio Corone, San Giorgio Albanese, Santa Sofia D'Epiro dhe Vacarizzo Albanese.

Vizita e z. Meta zhvillohet me ftesë të autoriteteve lokale me rastin e ditëve artistike të kolonisë së piktorëve figurativë, që po zhvillohet këtë javë në komunat arbëreshë.

Kryetari i Kuvendit z. Meta dhe delegacioni parlamentar shqiptar u pritën me ngrohtësi nga autoritetet e 5 komunave arbëreshe dhe nga qytetarët e tyre, të cilët shprehën kënaqësinë e kësaj vizite, e cila tregon dashurinë dhe vëmendjen që shqiptarët kanë për komunitetin arbëresh të Italisë.

Gjatë përshëndetjes së tij, z. Meta u shpreh se kjo vizitë e parë në komunat arbëreshe përfaqëson një moment emocional për të gjithë delegacionin shqiptar, sepse arbëreshët kanë një vend shumë të veçantë në ndërgjegjen kombëtare të të gjithë shqiptarëve.

“Nëse nuk do të kishte qenë për intelektualët arbëreshë, – tha z. Meta, – sot nuk do të kishim Shqipërinë, sepse arbëreshët ishin vendimtarë në ruajtjen dhe kultivimin e kulturës dhe ndjenjës kombëtare, gjë që u konfirmua edhe në mbështetjen që ata i dhanë përpjekjeve të Ismail Qemalit edhe gjatë shpalljes së pavarësisë së vendit tonë”.

SHKARKO APP