Meta: Qeveria nxit sektorin e ndërtimit, aty ku ka pastrim të parave nga grupet kriminale

Akuzat ndaj qeverisë, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nuk i ka kursyer as këtë të dielë. Sipas tij, qeveria “Rama 3” nxit sektorin e ndërtimit, aty ku ka pastrim të parave nga grupet kriminale. “Sipas raportit të Nismës Globale kundër krimit të Organizuar Ndërkufitar vetëm në tre vite 2017-2019 në Shqipëri u pastruan 1.2 miliardë euro në sektorin e ndërtimit”.

Postimi i plotë

Të fundit në rajon për ardhjen e investitorëve të huaj. Të fundit në rajon për industrinë prodhuese. Të fundit në rajon për eksportet e mallrave dhe shërbimeve në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Kompanitë e mëdha të huaja zgjedhin vendet fqinje përpara Shqipërisë sepse në Shqipëri klima për investitorët e huaj seriozë është armiqësore, korruptive dhe dekurajuese. Qeveria ka nxitur vetëm sektorin e ndërtimit, pikërisht aty ku ajo është e përfshirë në interesat për pastrimin e parave të pista të grupeve kriminale.

Sipas raportit të Nismës Globale kundër krimit të Organizuar Ndërkufitar vetëm në tre vite 2017-2019 në Shqipëri u pastruan 1.2 miliardë euro në sektorin e ndërtimit.

Është e qartë se të gjithë këto tregues që nxjerrin në pah zhvillimin e dobët ekonomik të vendit janë rezultat i një modeli të dështuar ekonomik të Qeverisë, dritëshkurtësisë së saj dhe përzgjedhjes së krimit si aleat dhe jo investitorëve të huaj seriozë në rrugën e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

SHKARKO APP