Meta: Qeveria të mos shfaqet si kujdestare e Kosovës. Të nxisë jo përçarjet, por bashkëpunimet

Presidenti Ilir Meta thotë se deklaratat për referendum për Bashkimin Kombëtar Shqipëri-Kosovë i konsideron si dëshira, të cilat nuk pranon t’i komentojë gjatë. Në një intervistë për ”ATV” në Kosovë, Meta u shpreh se dy vendet duhet të përkushtohen në sundimin e ligjit. Sipas tij, Shqipëria dhe Kosova duhet të bëhen shembull edhe për vendet e tjera të rajonit.

“Nuk dua të hyj në komente të dëshirave të ndryshme për shkak edhe të pozicionit që kam si president. Unë mendoj se nuk kemi asnjë rrugë tjetër përveçse rrugën e sundimit të ligjit në Shqipëri dhe Kosovë. Të bëjmë shembull marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë që kanë potencial për të qenë më produktive për vendet tona, pa dyshim edhe me vendet e tjera. Pastaj këtu dëshirat, apo qëndrimet e caktuara janë çështje tjetër mendoj unë”.

Kreu i shtetit thekson qëndrimet e Shqipërisë në raport me Kosovën kanë qenë arrogante, ndaj bëri thirrje që vendi ynë të heqë dorë dhe të mos shfaqet si kujdestare e Kosovës.

”Shqipëria duhet të heqë dorë nga arroganca apo të dëshira për tu shfaqur si kujdestar i Kosovës. Shqipëria për fat të keq sot, që duhet të ishte shembull edhe për Kosovën, Shqipëria është vite larg sa i takon zgjedhjeve, pranimit të tyre, por edhe në aspekte të tjera, në atë të ekonomisë së tregut. Shqipëria ka detyrë të mbështesë udhëheqësit e Kosovës dhe të nxisë jo përçarjet, por bashkëpunimet. Kjo është detyra e Shqipërisë”.

SHKARKO APP