Meta: Reforma territoriale, hov për zhvillimin e zonave

 

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mori pjesë në prezantimin e kandidatit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për kryetar të Bashkisë së Vaut të Dejës, Gjok Lleshi.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve në këtë prezantim, Meta tha se vota për Gjok Lleshin është vota për drejtimin e duhur për të gjithë Bashkinë e re të Vaut të Dejës.

Ai vlerësoi kandidatin e koalicionit të majtë dhe thekoi se me reformën administrative-territoriale Bashkia e Vaut të Dejës do të bëhet një nga njësitë më të rëndësishme në të gjithë vendit.

“Vota për Gjok Lleshin është vota për drejtimin e duhur për të gjithë Bashkinë e re të Vaut të Dejës, sepse Gjok Lleshi është një njeri në radhë të parë me karakter dhe me integritet.

Është një njeri me vlera, është një njeri i fjalës dhe jam i sigurt se vota juaj për të do të thotë një kontratë që ai të përkushtohet për gjithë këtë bashki, e cila bëhet një nga bashkitë më të rëndësishme në të gjithë vendit, sepse bashkon gjashtë njësi, që do të thotë se bashkimi bën fuqinë, këtë gjë e dimë shumë mirë, sepse bashkohen resurset, bashkohen pasuritë e kësaj zone, por mbi të gjitha bashkohen edhe njerëzit e kësaj zone.

Ndaj kjo reformë administrative-territoriale do t’i japë një hov cilësor të gjithë zhvillimit të vendit dhe do të rrisë cilësinë e shërbimeve ndaj komunitetit dhe do të shtojë shërbimet ndaj komunitetit. Nuk është e vërtetë se kjo reformë do t’i largojë shërbimet nga qytetarët.

Përkundrazi, ato që deri tani quheshin komuna, do të vazhdojnë të jenë si njësi shërbimi, jo vetëm duke realizuar shërbimet e deritanishme aty ku kanë qenë, por duke marrë edhe më shumë shërbime të tjera përsipër të t’ia ofruar komunitetit”, u shpreh Kryetari i LSI-së.

Meta nënvizoi se kjo reformë historike do të sjellë mundësinë për një zhvillim të integruar të zonës dhe për t’i zgjidhur në mënyrë të integruar të gjitha këto probleme.

“Por, nuk mund të zgjidheshin problemet e ujit të pijshëm, me atë fragmentarizim, copëzim të jashtëzakonshëm të komunave, sepse burimi vinte nga një vend tjetër, komuna këtu ishte diçka tjetër, do kalonte tek një komunë tjetër dhe ju e kuptoni se sa e vështirë ka qenë për të zgjidhur shumë probleme edhe për arsye objektive, por edhe për arsye jo racionale. Kjo reformë që është historike, do të sjellë mundësinë për një zhvillim të integruar të zonës dhe për t’i zgjidhur në mënyrë të integruar të gjitha këto probleme, që nga problemi i ujit të pijshëm, që nga problemi i kullimit, që nga problemi i vaditjes, që nga problemet e menaxhimit të mbetjeve e deri tek problemet, të cilat kanë të bëjnë me nxitjen e investimeve, me rritjen e punësimit, me zhvillimin e gjithë kësaj zone”, vijoi lideri i LSI-së.

Ndërkaq, gjatë fjalës së tij Meta u shpreh se Vau i Dejës është një zonë e mrekullueshme për zhvillimin e bujqësisë, të agro-biznesit, të agro-turizmit, por njëkohësisht edhe për zhvillimin e industrisë, sepse është në kryqëzim të gjithë rrugëve që lidhin Shkodrën me veriun e Shqipërisë dhe me pjesën tjetër qendrore të vendit.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, në fjalën e tij tha se është e pafalshme që një zonë si Vau i Dejës të ketë probleme me ujin apo të mos ketë mbështetje për bujqësinë.

“Kjo pritje e mrekullueshme tregon se Gjoka është në drejtimin e duhur për ta marrë drejtimin e Bashkisë së madhe të Vaut të Dejës në 21 qershorit. Reforma e ndarjen territoriale kishte për qëllim që në të gjithë territorin e Shqipërisë, dhe jo vetëm në kryeqendrat historike, ne mund të ngremë njësi administrative që mund t’i shërbejnë siç duhet komuniteteve dhe në radhë të parë për të zgjidhur gjëra që në këto 25 vjet duhet të ishin zgjidhur, por ende nuk i kemi zgjidhur akoma”, tha Beqja.

Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për kryetar të Bashkisë së Vaut të Dejës, Gjok Lleshi, u zotua se do t’ua shpërblejë me punë besimin banorëve të zonës.

“Nëse ju do të më votoni mua, sigurisht që do t’jua shpërblej me punë. Do të ndalem shumë në problemin e ujit të pijshëm që diskutohet që prej 20 vitesh që nuk ka ujë të pijshëm. Ne rrethohemi me ujë që nga Vau i Dejës, por vazhdojmë të jemi pa ujë. Është problem për Dejën, është problem për lagjen e Kapedanit. Ka 20 vjet që ka probleme me kullimin. Ne do t’i zgjidhim këto probleme në 4 vitet që ju do të më besoni mua”, tha Lleshi. 

SHKARKO APP