Meta replike me Mediun per misrin e Fiqos: Fiqua duhet te mbrohet nga PD , jo nga Krushku
Unë nuk e di se përse ju e njihni me kaq shumë detaje sipas jush këtë çështje, sepse kandidati në fjalë nuk është as i Partisë Republikane, pavarësisht se është i të gjithë opozitës. Por unë e njoh çështjen në detaje, sepse jam akuzuar sikur unë kam urdhëruar bllokimin e saj përmes Ministrit të Bujqësisë. T’i themi gjërat siç janë të vërteta.
E para, zotëri që ta dijë i gjithë opinioni publik, s’ka pasur asnjë tendencë dhe nuk ka asnjë tendencë për t’i bllokuar biznesin asnjë kandidati në dijeninë time në përgjithësi, por në veçanti, sepse kam qenë i interesuar për ta ndriçuar në çdo imtësi këtë çështje, meqenëse ka pasur një akuzë ndaj meje dhe jo vetëm kaq, por mund t’ju them se është bërë një takim në zyrën e Kryeministrit Rama me kandidatin, jo në cilësinë e kandidatit, por në cilësinë e sipërmarrësit që pretendonte se i ishte bërë një shkelje dhe Ministrit të Bujqësisë. Se ju nuk keni pse të keqvendosni faktet. S’e kuptoj pse e ke kërkuar ti Fatmir se mund ta kërkonte z. Basha si kryetar i Partisë Demokratike.
E vërteta është kjo z. Fatmir dhe i ka parë edhe kandidati disa shkresa që nuk lejohen për opinionin nga një shërbim shumë i rëndësishëm shtetëror i pavarur. I fundit ka qenë i datës 18 maj që paralajmëronte për qarkullimin e miellit me aflaktosinë në atë zonë. Ka patur dhe shkresa të mëparshme dhe rekomandonte masat nga Ministria, sepse helmoheshin njerëz dhe për këtë mban përgjegjësi shteti, e mban qeveria, nuk e mban opozita. Ka pasur edhe shkresa të mëparshme nga ky institucion që nuk drejtohet nga ndonjë njeri nga Partia Socialiste apo nga Lëvizja Socialiste për Integrim, është institucion i pavarur, përsëri ku ka patur shqetësime dhe pretendime edhe më të drejtpërdrejta.
Së dyti, janë bërë analizat në Tiranë, në Fier, në Lushnjë e kështu me radhë. Ju i keni parë fotot e atyre magazinave. Kandidati nuk ka thënë që ato foto nuk janë të vërteta. Analizat janë bërë nga AKU-ja në mënyrë ligjore, sepse ka një ligj se si bëhen analizat dhe se si verifikohen dhe nga institucionet europiane, dhe është marrë masa për të bllokuar. Analizat kanë dalë me aflatoskinë, analizat e magazinës që ke parë ti në foto.
Jam shumë i qetë unë në këtë çështje, sepse jam shumë i drejtë. Ti mund të kesh ndonjë shqetësim tëndin, unë nuk kam. Në rast se dikush ka manipuluar diçka, le të mbajë përgjegjësi dhe në rast se unë nuk i them këto gjëra të vërteta mbaj unë përgjegjësi. Jo vetëm kaq, por unë për respektin tënd që je kaq i shqetësuar dhe të opozitës jam gati të dal edhe në televizion qoftë me kandidatin tuaj, zgjidheni ju televizionin dhe të dalim dhe me personat përgjegjës të Ministrisë dhe të sqarohet opinioni, pasi kjo është një akuzë e rëndë. Por edhe që ne për hir të sulmeve politike që bëni ju, të lejojmë që të helmohen njerëzit me miell të kujtdo qoftë, edhe kjo është e papranueshme.
Është bërë pastaj dhe është verifikuar mielli tek fabrika e miellit që ka qenë e pezulluar duke patur shqetësimin se i njëjti miell që ishte në magazinë ku dolën fotot dhe dolën analizat, mund të ishte edhe atje. Aty analizat kanë dalë ndryshe, sepse nuk ishte i njëjti miell dhe për këtë arsye është lejuar zhbllokimi i fabrikës për të punuar fabrika. Por ndërkohë zotërinj, analizat që pretendon t’i se janë bërë në Itali janë bërë në një laborator privat dhe janë bërë tërësisht jashtë gjithë kriterit ligjor, sepse ato duhet të jenë nga i njëjti kampion. Se vete unë apo ti dhe marrim miell te marketi dhe çojmë analizat në një institucion privat që nuk e konfirmon askush, kjo është histori tjetër. Kështu që mos i hyni kësaj historie dhe mos e ngatërroni këtë aktivitet me fushatën.
Ministri ka zbatuar ligjin dhe do ta zbatojë gjithmonë ligjin. E dyta, që ta keni të qartë një herë e mirë. Ato informacionet e SHIK-ut nuk janë të rëndësishme kur kanë të bëjnë me paralajmërime për shëndetin dhe jetët e njerëzve, por janë të rëndësishme vetëm kur ju interesojnë ju për t’i përdorur politikisht për qëllimet tuaja.
Ministri i Bujqësisë që ka qenë duke na ndjekur tani, më tha se është i gatshëm në çdo moment të vijë në Parlament për seancë pyetjesh apo interpelanca për këtë çështje me të gjitha materialet dhe dokumentet përkatëse. Pra për çdo deputet që ka shqetësim për veprime ndoshta të padrejta nga ana e Ministrisë dhe AKU-së që varet nga Ministria, ai është i gatshëm në çdo sekondë që të vijë këtu në Parlament.