Meta takim me homologun zvicerian
Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Zvicër, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta është pritur sot në Bernë nga Presidenti i Këshillit të Shteteve, Dhoma e Lartë e Parlamentit të Zvicrës Claude Heche.
Kryetari i Kuvendit shoqërohej prej Fatmir Toçi, Kryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Zvicër, Fatmir Xhafaj, Kryetar i Komisionit të Ligjeve, Albana Shtylla Sekretare e Përgjithshme e Kuvendit dhe Ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Ilir Gjoni.
Meta shprehu mirënjohjen për mikpritjen e ngrohtë zvicerane dhe për mbështetjen gjithnjë në rritje të Zvicrës ndaj Shqipërisë dhe rajonit përmes asistencës zyrtare shtetërore dhe përmes investitorëve të ndryshëm që janë prezentë në vendin tonë.
Në këtë drejtim kryeparlamentari bëri një vlerësim të veçantë për projektet e Bashkëpunimit Zviceran 2014-2017 duke e konsideruar Zvicrën jo thjesht si një vend mik, por edhe si një partner shumë të rëndësishëm në zhvillimin e Shqipërisë.
Meta dhe Heche ndanë bindjen se niveli shumë i mirë i marrëdhënieve ndërpalamentare duhet ngritur në një nivel edhe më dinamik përmes Grupeve të Miqësisë dhe bashkëpunimit mes komisioneve të ndryshme parlamentare duke rritur kështu edhe cilësinë e bashkëpunimit politik mes dy vendeve.
“Bashkëpunimi parlamentar duhet t'i shërbejë projekteve konkrete në fusha prioritare si energjia, bujqësia, turizmi, shëndetësia dhe arsimi ku Shqipëria mund të përfitojë shumë prej eksperiencës së gjerë e të suksesshme zvicerane”, tha kryeparlamentari Meta.
Në këtë drejtim u diskutua gjithashtu mbi rritjen e shkëmbimit të eksperiencës në drejtim të funksionimit të pushtetit lokal, decentralizimit dhe pjesëmarrjes së shoqërisë civile dhe grupeve të interesit në vendimmarrje.
Kryetari i Kuvendit z. Meta dhe Presidenti i Këshillit të Shteteve, z. Heche biseduan gjithashtu edhe mbi zhvillimet në rajon ku u vlerësua kontributi i çmuar i Shqipërisë në shërbim të paqes e stabilitetit në rajon si dhe mbështetja e Zvicrës në zhvillimin ekonomik e institucional të Kosovës. Në përfundim Meta e ftoi Heche për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi.
KOHA JONË SONDAZH

