Meta takohet me Presidenten e Parlamentit të Landit të Westfalisë së Renit të Veriut

 

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta po zhvillon një vizitë në Landin e Westfalisë së Renit të Veriut. Landi i Westfalisë së Renit të Veriut është më i madhi në Gjermani me mbi 18 milionë banorë  dhe motori i ekonomisë së vendit.

Z. Meta u prit nga Presidentja e Parlamentit të Landit të Westfalisë së Renit të Veriut, znj. Carina Gödecke në parlamentin shtetëror. Kryetari i Kuvendit shoqërohej në këtë takim nga ambasadori shqiptar në Gjermani, z. Artur Kuko, Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro dhe Konsullja e Nderit, znj. Anduena Stephan.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kryetari i Kuvendit, z. Meta u shpreh se ishte një kënaqësi dhe privilegj që me rastin festës kombëtare shqiptare të gjendej i ftuar në Parlamentin e Landit të Wesftalisë së Renit të Veriut. Z. Meta informoi mbi reformat që ka ndërmarrë Shqipëria si një vend që aspiron anëtarësimin në BE dhe theksoi se ndryshimi strukturor në shtetin më të populluar federal të Gjermanisë është një model për Shqipërinë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në këtë takim, u diskutua dhe u ra dakord për të vendosur një bashkëpunim të ngushtë mes Parlamentit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Landit të Westfalisë së Renit të Veriut, sidomos në çështjet e funksionimit të administratës së Kuvendit dhe u ra dakord që specialistë të Kuvendit të trajnohen pranë administratës së Parlamentit të Landit. 

Dy bashkëbiseduesit ranë dakord për rritjen e shkëmbime ndërparlamentare.

Në fjalën e tij, z. Meta theksoi se Gjermania në tërësi dhe Landi i Westfalisë së Renit të Veriut në veçanti, janë një shembull i jashtëzakonshëm i transformimit dhe aplikimit të teknologjive të reja, duke shndërruar asetet e papërdorshme në vlera ekonomike, model i cili mund të shërbejë edhe për thithjen e investimeve të kompanive të Landit në Shqipëri.

Z. Meta shtoi se modeli i shkollimit dhe kualifikimit dual për të rinjtë është një fushë me interes të lartë për bashkëpunim.

Më tej, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta vlerësoi rolin dhe kontributin e shqiptarëve që jetojnë në këtë Land dhe nivelin e lartë të integrimit të tyre.

Presidentja e Parlamentit të Landit të Westfalisë së Renit të Veriut, znj. Carina Gödecke,  vlerësoi vizitën e Kryetarit të Kuvendit si shenjë të marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve, por edhe si të parën e nivelit të tillë  në Landin e Westfalisë së Renit të Veriut. “Unë shpresoj që sinjali që buron nga ky bashkëpunim, të arrijë tek njerëzit: një sinjal i solidaritetit evropian, si dhe ai që ndodhi ne Evrope, pas zgjerimit të madh në vitin 2004”.

Në një prononcim të dhënë pas takimit, znj. Gödecke u shpreh se marrëdhëniet gjermano-shqiptare janë në partneritet të ngushtë, por ka ende shumë vend për përmirësim.

“Edhe për mua është një kënaqësi sot që jemi bashkë këtu për të nisur një rrugë të gjatë të bashkëpunimit tonë. Ishte kënaqësi që pata edhe një përfaqësues të qeverisë së Landit tonë, Ministrin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Integrimit. Ne e filluam punën tonë mbarë me një projekt të parë, që nënkupton vendosjen e një ure bashkëpunimi nëpërmjet ardhjes së një përfaqësuesi të parlamentit shqiptar këtu për ta strukturuar këtë bashkëpunim. Kështu, mund të ndërtojmë ura bashkëpunimi në kulturë”, – tha znj. Carina Gödecke.     

Gjithashtu, znj. Gödecke shprehu angazhimin e saj për thellimin e bashkëpunimit, veçanërisht në nxitjen e bizneseve dhe kompanive të Landit që të investojnë në Shqipëri.

Presidentja e Parlamentit të Landit të Westfalisë së Renit të Veriut mirëpriti ftesën e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta për të vizituar Shqipërinë në një kohë të afërt.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?