Meta takohet me Thaçin: Të ecet më shpejt drejt realizimit të Marrëveshjes së Ohrit

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka pritur në një takim kryetarin e Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Maqedonisë, Menduh Thaçi.

Gjatë takimit, Meta dhe Thaçi shkëmbyen mendime rreth zhvillimeve në Maqedoni , në Shqipëri dhe në rajon.

Kryetari i Kuvendit, vlerësoi angazhimin e Thaçi dhe të partisë së tij, por dhe të gjithë faktorit shqiptar për të shtyrë më tej Maqedoninë drejt proceseve integruese dhe drejt zgjidhjes së çështjes së emrit.

Ishte kënaqësi si gjithmonë për të pritur sot liderin e Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Maqedonisë, z. Menduh Thaçi për të shkëmbyer me të mendime rreth zhvillimeve në Maqedoni , në Shqipëri dhe në rajon. Natyrisht, që në radhë të parë do të përfitoj nga rasti për t’i uruar të gjithë qytetarëve të Kosovës festën e pavarësisë dhe të shtetit të Kosovës, pasi sot është një ditë e shënuar. Dhe së dyti dua të shpreh vlerësimin tim për angazhimet e z. Thaçi dhe të partisë së tij, por dhe të gjithë faktorit shqiptar për të shtyrë më tej Maqedoninë drejt proceseve integruese, drejt zgjidhjes së çështjes së emrit, ashtu sikurse është e rëndësishme të ecet më shpejt drejt, jo vetëm realizimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, por njëkohësisht edhe të përmirësimit të situatës ekonomike e sociale të shqiptarëve, dhe në mënyrë të veçantë, por edhe të gjithë qytetarëve në Maqedoninë perëndimore. Besoj se këto takime janë gjithmonë të dobishme për të ndjekur zhvillimet hap pas hapi, por njëkohësisht edhe tregojnë se marrëdhëniet midis Kuvendit të Shqipërisë dhe faktorëve të rëndësishëm parlamentar në rajon, e konkretisht në Maqedoni, janë gjithnjë e më dinamike” tha Meta në prononcimin për mediat pas përfundimit të takimit.

Ndërsa Thaçi nga ana e tij u shpreh se , “Kjo nuk është vetëm një kënaqësi, por dhe obligim. Unë mendoj se është mirë që po krijohet një praktikë normale të komunikimit të shqiptarëve jashtë Shqipërisë me drejtuesit e institucioneve në Shqipëri. Me z. Ilir Meta, Kryetarin e Kuvendit, biseduam për shumë çështje. Për ne shqiptarët e Maqedonisë është tejet e rëndësishme që në rend të parë të jemi të mirinformuar për situatat rajonale dhe ndërkombëtare, që të mos bëhet ndonjë gabim nga mungesa e informacionit. E informova z. Meta për shqetësimin tonë kryesor që kemi si shqiptar, pra bllokimin e procesit integrues drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Kjo na shqetëson shumë. Në anën tjetër na komplikon edhe çështjen e të drejtave tona, qofshin politike apo ekonomike. Bashkërisht ramë dakord që të vazhdojmë këto komunikime dhe bashkërisht të mirinformohemi dhe të vazhdojmë dhe të veprojmë drejt rrugës sonë të përbashkët drejt perëndimit, integrimit dhe kështu me radhë” , tha ai.

SHKARKO APP