Meta takon Haradinaj: Ikja e kosovarëve? Përfitojnë vetëm trafikantët
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka pritur sot në një takim kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ndërsa ka deklaruar se Shqipëria do ndihmojë Kosovën në proçesin e integrimit por edhe në mbështetje të proceseve më të gjera rajonale.
Në lidhje me problemin e migrimit të qytetarëve kosovarë, Meta tha se ata po mashtrohen nga një rrjet trafikantësh që po përfitojnë shuma të mëdha. Ndërsa Haradinaj lëshoi edhe njëherë thirrjen për të mos e braktisur vendin.
“Ishte kënaqësi për të takuar sot liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj dhe për të shkëmbyer me të mendime rreth zhvillimeve në Kosovë, Shqipëri dhe në rajonin tonë, njëkohësisht edhe për t’u njohur më nga afër me angazhimet e opozitës në Kosovë. Ky takim, i cili vjen pas vizitës së delegacionit të Parlamentit të Kosovës është në vijim të kontakteve, komunikimit tonë të vazhdueshëm me të gjithë aktorët dhe faktorët e politikës në Kosovë, me qëllim inkurajimin e gjithë atyre proceseve të dialogut të brendshëm në radhë të parë dhe bashkëpunimit që ndihmojnë Kosovën drejt procesit të integrimit evropian por edhe në mbështetje të proceseve më të gjera rajonale ku Kosova ka një rol mjaft të rëndësishëm për të luajtur dhe ku jam i bindur që edhe opozita në Kosovë ndjen përgjegjësinë e saj për ta luajtur këtë rol në mënyrë sa më konstruktive”, u shpreh Meta.
“Është një nder të takohem me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, mikun tim Ilir Meta. Është një traditë e komunikimit, çdo herë i shfrytëzojmë këto takime për të komunikuar dhe për të shkëmbyer ide. Kuptohet që ne i gëzohemi lidhjeve më të forta mes Kosovës deh Shqipërisë ashtu si i gëzohemi lidhjeve më të forta të gjithë shqiptarëve dhe në këtë bazë edhe ky takim e ka këtë kontribut”, tha Haradinaj në takim.