Meta takon përfaqësuesit e OSBE: Zgjedhjet me rëndësi historike, çdo përpjekje për të garantuar paprekshmërinë e votës

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta priti këtë të enjte në Presidencë përfaqësuesit e OSBE-së, në lidhje me zgjedhjet e 25 prilli. Në mesazhin e postuar edhe në facebook, Meta thotë se votimet e së dielës janë me rëndësi historike, dhe se ai do të bëjë çdo përpjekje për të garantuar paprekshmërinë e votës.

Postimi i plotë

Zhvillova një takim të frytshëm dhe të hapur me përfaqësues të lartë të delegacionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE, që do të vëzhgojnë procesin zgjedhor në Shqipëri, Zëvendëspresidentin, Azay Guliyev dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Roberto Montella.

Vlerësova përpjekjet e sinqerta dhe ndër vite të Asamblesë Parlamentare të OSBE në mbrojtje të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri dhe veçanërisht angazhimin e tyre për monitorimin e këtyre zgjedhjeve, pavarësisht vështirësive të pandemisë.

I informova hollësisht mbi situatën parazgjedhore dhe i sigurova për bashkëpunimin e plotë në procesin e vëzhgimit të zgjedhjeve dhe evidentimin e faktuar të çdo krimi zgjedhor, që synon të deformojë rezultatin përkundër vullnetit të qytetarëve.

Theksova se këto zgjedhje kanë një rëndësi historike për të ardhmen europiane të Shqipëris, dhe se si President i Republikës do të bëj çdo përpjekje për të garantuar paprekshmërinë e votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, të cilët do të marin pjesë masivisht në zgjedhjet e së dielës.

SHKARKO APP