Meta takon Presidenten e Maltës: Bashkëpunim mes dy vendeve
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot Presidenten e Republikës së Maltës znj. Marie-Louise Coleiro Preca e cila shoqërohej prej Ministrit të Jashtëm George Vella, Ministrit të Investimeve Ekonomike dhe Biznesit të Vogël, Christian Cardona dhe Ministrit për Familjen dhe Solidaritetin Social Michael Farrugia. Kryetari i Kuvendit shoqërohej prej Kryetares së Komisionit të Jashtëm znj. Arta Dade dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Maltë Bujar Kllogjri.
Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta pasi i uroi mirëseardhjen në Shqipëri Presidentes së Maltës Marie-Louise Coleiro Preca, u shpreh se Shqipëria dhe Malta si dy vende me karakteristika të ngjashme dhe dy vende mesdhetare kanë shumë të përbashkëta, dhe në këtë drejtim kanë shumë potenciale shkëmbimesh dypalëshe.
Meta e vlerësoi vizitën e Presidentes së Maltës në Tiranë si një sinjal të fortë për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Presidentja e Maltës Marie-Louise Coleiro Preca, duke vlerësuar marrëdhëniet politike mes dy vendeve, theksoi se ka ardhur koha që bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet dypalëshe të intensifikohen në mënyrë konkrete, veçanërisht në fushat e turizmit mjekësor, transportit maritim, arsimit dhe turizmit kulturor.
Duke shprehur mbështetjen e Maltës për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, Presidentja Marie-Louise Coleiro Preca vuri në dukje se gjatë Presidencës malteze të Bashkimit Evropian në vitin 2017, Shqipëria do të ketë një aleat të fortë në gjirin e BE-së.
Në përfundim, Kryetari Meta dhe Presidentja Coleiro Preca ndanë bindjen se dy parlamentet duhet të thellojnë bashkëpunimin e tyre, veçanërisht në kuadër të përgatitjes për etapat e ardhshme të procesit të integrimit evropian.
KOHA JONË SONDAZH

