Meta takon Yazdgerdi: Të fokusuar në avancimin e axhendës europiane
Kuvendi është i fokusuar në avancimin e prioriteteve që kërkon axhenda evropiane dhe do t’a mbështesë qeverinë në axhendën e reformave që janë ndërmarrë.
Kështu u shpreh Kryetari i Kuvendit Ilir Meta gjatë takimit që zhvilloi me Drejtorin për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore të Departamentit të Shtetit, Thomas Yazdgerdi.
Në këtë drejtim, u nënvizua rëndësia e pjesëmarrjes, transparencës dhe gjithëpërfshirjes të të gjithë aktorëve në mbarëvajtjen e aktivitetit parlamentar të vendit.
Gjatë takimit, Drejtori i Departamentit të Shtetit për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore Thomas Yazdgerdi shprehu mirënjohjen e SHBA për rolin gjithnjë aktiv dhe konstruktiv të Shqipërisë si në NATO ashtu edhe në rajon, dhe theksoi se mbështetja amerikane për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë do të jetë e pakursyer.
Meta dhe Yazdgerdi ndanë bindjen e përbashkët se niveli i shkëmbimeve politike dhe parlamentare mes dy vendeve reflekton dinamikën e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe SHBA, forcimi i të cilave i shërben stabilitetit dhe sigurisë të të gjithë rajonit të Ballkanit.
Meta vlerësoi rolin e rëndësishëm të SHBA në rajon dhe vuri në dukje se Shqipëria, si një vend me peshë të veçantë dhe me marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë fqinjët e saj, inkurajon forcimin e ndërlidhjes infrastrukturore, energjitike dhe ekonomike mes të gjithë vendeve të Evropës Jug-Lindore.
Në këtë kuadër u vlerësua Projekti TAP si i rëndësisë strategjike për sigurinë energjitike të të gjithë Evropës si dhe ndërtimi i korridoreve të rëndësishme brenda rajonit të Evropës Jug-Lindore.
KOHA JONË SONDAZH

