Meta: Të hapur për një institucion gjithëpërfshirës dhe transparent
Ilir Meta, u zhvillua tryeza konsultative me temë “Pjesëmarrja e publikut në vendimmarrjen e Kuvendit të Shqipërisë – Një fokus në transparencën parlamentare”
Nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, u zhvillua tryeza konsultative me temë: “Pjesëmarrja e publikut në vendimmarrjen e Kuvendit të Shqipërisë. Një fokus në transparencën parlamentare”.
Të pranishëm në këtë aktivitet që u zhvillua në ambientet e Kryesisë së Kuvendit ishin Ambasadori i OSBE-së, Florian Raunig, Nënkryetarët e Kuvendit, alentina Leskaj dhe Edmond Spaho, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Ermonela Felaj, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të medias, etj.
E konceptuar si një platformë e përballjes së mendimeve dhe sugjerimeve të përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, grupeve të interesit për pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrjen e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe të medias të fokusuar në transparencën parlamentare, në këtë tryezë u prezantua Raporti Vjetor 2015 për Pjesëmarrjen e Publikut në Vendimmarrjen e Kuvendit të Shqipërisë.
Në fjalën e tij gjatë këtij aktivitetit Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi se disa nga objektivat e kësaj legjislature kanë qenë përfshirja e publikut në vendimmarrje, nxitja e dialogut të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të anëtarëve të parlamentit me publikun.
“Rritja e besimit të ndërsjellët mes të zgjedhurve dhe zgjedhësve, rritja e cilësisë së ligjvënies dhe funksionit kontrollues dhe të gjitha padyshim që nuk mund të realizohen më mirë dhe në mënyrë efektive, pa rritur në mënyrë të domosdoshme transparencën, llogaridhënien, që garantohet në mënyrë të veçantë nga pjesëmarrja e publikut në ushtrimin e pushtetit. Publiku, media, shoqëria civile dhe të gjithë grupet e interesit konsiderohen si bashkëkontribues të Kuvendit në ushtrimin e funksioneve të tij ligjvënëse dhe kontrolluese. Njëkohësisht, si rregull dhe jo si përjashtim, komisionet parlamentare kanë konsoliduar marrëdhëniet e ndërsjellta me shoqërinë civile dhe e kanë shfrytëzuar këtë bashkëpunim si një mundësi për të gjetur dhe identifikuar dhe realizuar zgjidhje reciproke për çështje politike dhe sociale, ekonomike dhe politika nxitëse apo stimuluese për biznesin”, – tha z. Meta duke shtuar se tashmë është evidente që seancat dëgjimore janë shndërruar në një standard për veprimtarinë e komisioneve parlamentare të Kuvendit.

Meta theksoi se për të ndihmuar këtë akses, është miratuar Manuali Pjesëmarrës i Publikut në Proceset Vendimmarrëse të Kuvendit si dhe është lehtësuar aplikimi për pjesëmarrjen në mbledhjet e organet e Kuvendit për përdorimin e teknologjisë së informacionit. Janë lehtësuar procedurat për pjesëmarrjen e publikut në veprimtarinë e Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit deklaroi se hapat e ndërmarrë janë vlerësuar edhe nga progres-raporti i BE-së për Shqipërinë për vitin 2015 si dhe nga GRECO në raundin e katërt të vlerësimit të rekomandimeve për Shqipërinë.
“Dua të nxis dhe të mirëpres të gjitha vërejtjet, sugjerimet për deri tani, por edhe për të ardhmen. Shpreh bindjen se demokracia është përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse, garantohet përmes pjesëmarrjes pro aktive dhe konkrete të publikut, të shoqërisë civile dhe të grupeve të interesit. Kjo është një mënyrë gjithashtu për të tërhequr jo vetëm mendimet që vijnë nga problematika reale, por dhe ekspertizën më të mirë ekonomike, sociale, kulturore dhe vënien e saj në dobi të publikut. Pjesëmarrja e tij në Kuvend, pra e publikut, ndikon në mënyrë direkte në përmirësimin e funksionit monitorues dhe kontrollues të tij në raport me ekzekutivin dhe me institucionet e tjera kushtetuese dhe rrit në mënyrë reciproke edhe veprimtarinë por edhe bashkëpunimin ndërmjet tyre”, – theksoi Meta.
Kryetari i Kuvendit u shpreh se ndërtimi dhe konsolidimi i kulturës së demokracisë dhe të tolerancës politike nuk është një akt i veçuar dhe i mundshëm për t’u realizuar me sukses në një kohë të shkurtër.
“Është një proces i vazhdueshëm, me shumë etapa, me shumë aktorë dhe faktorë dhe me nevojën e patjetërsueshme për vullnet politik, angazhim afatgjatë përtej ngjyrave politike. Perceptimi publik për rolin e parlamentit është ende i kufizuar, madje ndonjëherë ndarja e pushteteve mes legjislativit dhe ekzekutivit është keqkuptuar. Perceptimet e kuptuara kanë krijuar jo rrallë edhe pritshmëri jo realiste të qytetarëve ndaj Parlamentit dhe ushtrimit të funksioneve të tij”, – vijoi z. Meta, duke garantuar se Kuvendi do të jetë gjithnjë transparent, me një administratë të përgjegjshme, profesionale dhe efektive, që i përgjigjet në kohë nevojave të publikut, larg ndikimeve politike apo partiake.
“Nevojiten edhe më shumë përpjekje për të mbërritur tek individët, nga shtresat e marxhinalizuara të shoqërisë , në mënyrë të veçantë tek gratë, të rinjtë, tek personat me aftësi të kufizuara e kështu me radhë. Gjithashtu, mjaft e rëndësishme është marrëdhënie e Kuvendit me pushtetin e katërt me median. Cilësia e kësaj marrëdhënie është jetike për cilësinë e transparencës dhe të demokracisë e cila tek liria e medias ka një nga gurët e saj kryesorë të themelit”, – deklaroi Meta.
Kryetari i Kuvendit njohu të pranishmit me faqen e re të Kuvendit, duke evidentuar se një dritare e posaçme në faqen e re zyrtare i është kushtuar transparencës parlamentare, ku qytetarët në mënyrë individuale mund të marrin të gjithë informacionin e nevojshëm mbi funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë, por edhe për të gjitha procedurat, që duhen ndjekur për të qenë pjesëmarrës aktiv në veprimtarisë parlamentare.

Në kuadër të përmirësimit të instrumenteve të komunikimit,Meta deklaroi se aktualisht ka nisur puna për hartimin e një strategjie të re komunikimi me synim përmirësimin e informacionit për të përmirësuar, të kuptuarin e parlamentit nga ana e publikut, dhe së dyti, konsultimin e publikut dhe rritja e përfshirjes së tij në punën e parlamentit me qëllim rritjen e cilësisë së procesit ligjvënës.
Më tej, Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit,Albana Shtylla, prezantoi Raportin Vjetor 2015 për Pjesëmarrjen e Publikut në Vendimmarrjen e Kuvendit të Shqipërisë.
Në fjalën e saj, znj. Shtylla tha se kjo tryezë konsultative ka një rëndësi të madhe për procesin vendimmarrës të Kuvendit dhe rolin që ka publiku në këtë proces.
Znj. Shtylla vlerësoi pjesëmarrjen e përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, grupeve të interesit në këtë takim si një mundësi për të shkëmbyer ide, mendime, në interes të asaj çfarë është më e mira për qytetarët.
Ndërsa, Ambasadori i OSBE-së, Florian Raunig vlerësoi bashkëpunimin e mirë me Kuvendin për aktivitetet e shumta, ku të gjitha forcat politike kanë marrë pjesë.
“Së bashku me Kuvendin kemi zhvilluar shumë aktivitete, të cilat i kemi mbështetur, iniciuar, në veprimtari të ndryshme,ku të gjitha forcat politike kanë marrë pjesë. Në harkun kohor të viteve 2013-2015 janë organizuar 14 forume, diskutime me deputetët nga parti të ndryshme dhe në zonat ku ato mbulojnë nëpër rrethe. Rëndësia e këtyre takime është që deputeti të jetë sa më afër zgjedhësve dhe nga ana tjetër qytetari të jap sugjerimet e veta për çështje të ndryshme. Këtë takime kanë qenë shumë produktive”, – tha z. Raunig, duke theksuar se është i rëndësishëm krijimi i urave lidhëse midis Parlamentit dhe shoqërisë civile dhe për këtë arsye janë forcuar kapacitet e stafit të Kuvendit për përfshirjen e publikut në veprimtarinë e Kuvendit.
“Kemi mbështetur edhe Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese për tema të caktuara, të cilat kanë qenë shumë konstruktive. Gjithashtu kemi mbështetur edhe Aleancën e Grave Deputete për të patur një pjesëmarrje më të madhe të gruas në vendimmarrje. Kemi mbështetur Ditën e Hapur në Kuvend ku qytetari mund të vizitojë dhe të njihet me parlamentin. Rëndësi kanë edhe krijimi i urave lidhëse midis parlamenti dhe shoqërisë civile dhe për këtë çështje janë forcuar kapacitet e stafit të Kuvendit për përfshirjen e publikut në punën e Kuvendit. Në varësi të takimit të sotëm të analizojmë nevojën për të ndërmarrë një vlerësim të pavarur në zbatimin e legjislacionit dhe të konsultimit publik dhe monitorimin e progresit të bërë”, – deklaroi ndër të tjera Ambasadori i OSBE-së, z. Raunig.
Ndërkaq, tryeza vijoi me diskutime midis të ftuarve dhe panelit për mënyrën se si mund të përmirësohet edhe më tej pjesëmarrja e publikut në vendimmarrjen e Kuvendit. Përfaqësues të medieve dhe të shoqërisë civile hodhën ide dhe bënë propozimet e tyre për rritjen e mëtejshme të aksesit të publikut në veprimtarinë parlamentare.

Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit,Ilir Meta
Gëzohem për gjithë këtë pjesëmarrje të mediave, në mënyrë të veçantë të ambasadorëve të trupit diplomatik! Dhe natyrisht mendoj që kjo ka të bëjë me rëndësinë që vazhdojmë t’i kushtojmë të gjithë Kuvendit dhe në mënyrë të veçantë, kjo besoj se do të rrisë më tej përgjegjësinë e vetë Kuvendit, për një funksionim më të përgjegjshëm, më llogaridhënës dhe më transparent.
Disa nga objektivat e kësaj legjislature padyshim që kanë qenë përfshirja e publikut në pjesëmarrje, nxitja e dialogut të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të anëtarëve të Parlamentit me publikun. Rritja e besimit të ndërsjelltë mes të zgjedhurve dhe zgjedhësve, rritja e cilësisë së ligjvënies dhe funksionit kontrollues dhe të gjitha padyshim që nuk mund të realizohen më mirë dhe në mënyrë efektive, pa rritur në mënyrë të domosdoshme transparencën, llogaridhënien, që garantohet në mënyrë të veçantë nga pjesëmarrja e publikut në ushtrimin e pushtetit.
Publiku, media, shoqëria civile dhe të gjithë grupet e interesit konsiderohen si bashkëkontribues të Kuvendit në ushtrimin e funksioneve të tij ligjvënëse dhe kontrolluese.
Njëkohësisht, si rregull dhe jo si përjashtim, komisionet parlamentare kanë konsoliduar marrëdhëniet e ndërsjellta me shoqërinë civile dhe e kanë shfrytëzuar këtë bashkëpunim si një mundësi për të gjetur dhe identifikuar dhe realizuar zgjidhje reciproke për çështje politike dhe sociale, ekonomike dhe politika nxitëse apo stimuluese për biznesin.
Tashmë është evidente që seancat dëgjimore janë shndërruar në një standard për veprimtarinë e komisioneve parlamentare të Kuvendit.
Për të ndihmuar këtë akses, është miratuar Manuali Pjesëmarrës i Publikut në Proceset Vendimmarrëse të Kuvendit. Është lehtësuar aplikimi për pjesëmarrjen në mbledhjet e organet e Kuvendit për përdorimin e teknologjisë së informacionit. Janë lehtësuar procedurat për pjesëmarrjen e publikut në veprimtarinë e Kuvendit.
Dhe progres-raporti i BE-së për Shqipërinë për vitin 2015 e ka shënuar si progres marrjen e këtyre masave.
Vlerësimi i fundit për hapat e hedhura për transparencën parlamentare ka qenë nga GRECO në raundin e katërt të vlerësimit të rekomandimeve për Shqipërinë.
Ju jeni të ftuar në këtë tryezë për të diskutuar Raportin Vjetor të Pjesëmarrjes së Publikut në Kuvend, duke nënvizuar vullnetin e fortë për të dëgjuar, reaguar dhe mbi të gjitha për të përmirësuar gjithçka që është e mundshme për këtë proces.
Dua të nxis dhe të mirëpres të gjitha vërejtjet, sugjerimet për deri tani, por edhe për të ardhmen. Shpreh bindjen se demokracia është përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse, garantohet përmes pjesëmarrjes proaktive dhe konkrete të publikut, të shoqërisë civile dhe të grupeve të interesit. Kjo është një mënyrë gjithashtu për të tërhequr jo vetëm mendimet që vijnë nga problematika reale, por dhe ekspertizën më të mirë ekonomike, sociale, kulturore dhe vënien e saj në dobi të publikut. Pjesëmarrja e publikut në Kuvend ndikon në mënyrë direkte në përmirësimin e funksionit monitorues dhe kontrollues të tij në raport me ekzekutivin dhe me institucionet e tjera kushtetuese dhe rrit në mënyrë reciproke edhe veprimtarinë, por edhe bashkëpunimin ndërmjet tyre.

Ndërtimi dhe konsolidimi i kulturës së demokracisë dhe të tolerancës politike nuk është një akt i veçuar dhe i mundshëm për t’u realizuar me sukses në një kohë të shkurtër. Është një proces i vazhdueshëm, me shumë etapa, me shumë aktorë dhe faktorë dhe me nevojën e patjetërsueshme për vullnet politik, angazhim afatgjatë përtej ngjyrave politike.
Perceptimi publik për rolin e Parlamentit është ende i kufizuar, madje ndonjëherë ndarja e pushteteve mes legjislativit dhe ekzekutivit është keqkuptuar. Perceptimet e kuptuara kanë krijuar jo rrallë edhe pritshmëri jo realiste të qytetarëve ndaj Parlamentit dhe ushtrimit të funksioneve të tij.
Gjithashtu, dua t’ju siguroj se ne do të jemi të hapur që ky institucion të jetë gjithnjë e më përfshirës. Gjithnjë e më transparent, me një administratë të përgjegjshme, profesionale dhe efektive, që i përgjigjet në kohë nevojave të publikut, larg ndikimeve politike apo partiake. Nevojiten edhe më shumë përpjekje për të mbërritur tek individët, nga shtresat e marxhinalizuara të shoqërisë, në mënyrë të veçantë te gratë, të rinjtë, tek personat me aftësi të kufizuara e kështu me radhë. Gjithashtu, mjaft e rëndësishme është marrëdhënia e Kuvendit me pushtetin e katërt me median. Cilësia e kësaj marrëdhënie është jetike për cilësinë e transparencës dhe të demokracisë e cila te liria e medias ka një nga gurët e saj kryesorë të themelit.

Në parim i gjithë aktiviteti i Kuvendit është i hapur dhe transparent si një garanci më shumë për demokracinë. Në fillim të këtij viti, Kuvendi publikoi faqen e tij të re zyrtare. Një dritare e posaçme në faqen e re zyrtare i është kushtuar transparencës parlamentare, ku qytetarët në mënyrë individuale mund të marrin të gjithë informacionin e nevojshëm mbi funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë, por edhe për të gjitha procedurat që duhen ndjekur për të qenë pjesëmarrës aktiv në veprimtarisë parlamentare. Në faqen zyrtare të Kuvendit është një dritare e posaçme , e-Parlament. Në të është publikuar një formular përmes plotësimit të të cilit, qytetarët dhe të gjithë të interesuarit mund të japin mendimet dhe komentet e tyre. Në mënyrë automatike ato përcillen te personat përgjegjës për trajtimin e tyre në Kuvend.
Faqja zyrtare e Kuvendit publikon të gjithë informacionin e nevojshëm mbi projektligje, seancën plenare, programin e punës dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit si dhe gjithë dokumentacionin parlamentar lidhur me to.
Me mbështetjen e OSBE-së, që është një bashkëpunuese e jashtëzakonshme në gjithë punën e Kuvendit dhe sidomos në drejtim të thellimit të transparencës dhe pjesëmarrjes, një sistem “info point”, është instaluar në mjediset e Kuvendit dhe pritet instalimi i një sistemi audio-video për punimet në komisionet dhe mjediset e tjera parlamentare.
Në kuadër të përmirësimit të instrumenteve të komunikimit, aktualisht ka nisur punën për hartimin e një strategjie të re komunikimi. Për këtë proces janë analizuar eksperienca e disa vendeve të Bashkimit Evropian. Synimet e strategjisë parlamentare të komunikimit janë përmirësimi i informacionit për të përmirësuar, të kuptuarin e parlamentit nga ana e publikut, dhe së dyti, konsultimin e publikut dhe rritja e përfshirjes së tij në punën e parlamentit me qëllim rritjen e cilësisë së procesit ligjvënës.
KOHA JONË SONDAZH

