Meta: Të ndalojmë largimin e të rinjve, Shqipëria e Kosova s’mund të ekzistojnë pa shqiptarë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti Akademinë Solemne “Faleminderit Shqipëri”, të organizuar nga Ipeshkvia e Dioqezës Prizren-Prishtinë, që u zhvillua në Qendrën “Bogdanpolis” pranë Katedrales “Shën Nënë Tereza”.

Kjo veprimtari e drejtuar nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, u mbajt në shenjë falënderimi ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë, për solidaritetin, humanizmin, mikpritjen dhe dashurinë vëllazërore të ofruar ndaj shqiptarëve të shpërngulur forcërisht nga makineria ushtarake serbe gjatë kohës së Luftës së Kosovës në vitet 1998-1999.

Duke i drejtuar pjesëmarrësve, me të cilëve ishin Presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ministri i Diasporës Pandeli Majko, Presidenti i Republikës së Shqipërisë vuri në dukje se:

“Çdo 28 nëntor ne festojmë Pavarësinë e Shqipërisë, jo vetëm duke u përulur me nderim para veprës së Ismail Qemalit dhe të gjithë atyre personaliteteve që ngritën flamurin në Vlorë, por në mënyrë të veçantë duke nderuar kontributin e jashtëzakonshëm të Isa Boletinit, të Hasan Prishtinës dhe të gjithë atyre udhëheqësve të kryengritjeve të Kosovës, të cilët patën një kontribut të jashtëzakonshëm për të krijuar shtetin shqiptar edhe pse Kosova u sakrifikua padrejtësisht.

Por besimi nuk humbi asnjëherë, ndaj jemi të lumtur kur kujtojmë solidaritetin mbarëkombëtar në vitin 1999, një vit i jashtëzakonshëm në historinë e Ballkanit, por sidomos të kombit tonë.

24 marsi 1999 ishte një ditë e jashtëzakonshme për mua se më kujton edhe ditëlindjen time.

Kisha 30-vjetorin atë ditë, por nuk pata mundësi të festoja për shkak të një lajmi akoma më të mirë për mua dhe për çdo shqiptar, nisjes së ndërhyrjes së NATO-s për t’i dhënë fund gjenocidit dhe barbarisë në Kosovë.

Kishte nisur një lindje e vështirë që do zgjaste për muaj deri në çlirimin e Kosovës, një lindje e përgjakshme me vuajtje pafund, por falë Zotit dhe mbi të gjitha falë atij mobilizimi të jashtëzakonshëm të virtyteve më të mira të kombit tonë dhe të atij solidariteti heroik të treguar në radhë të parë nga të gjithë shqiptarët e thjeshtë në Shqipëri e kudo tjetër, ne arritëm ta kalonim me një sukses të jashtëzakonshëm atë sprovë që ndodh shumë rrallë në historinë e një kombi.

Dua të shpreh falënderimet e mia për Kryeministrin e asaj kohe në Shqipëri, zotin Majko, për Presidentin Mejdani, për të gjithë forcat politike, që edhe pse vinin nga një ndarje e thellë politike, të gjithë u bëmë bashkë për të përballuar atë eksod biblik duke mirëpritur gati 1 milionë vëllezër dhe motra nga Kosova.

Ju me të drejtë thoni ‘Faleminderit Shqipëri’, edhe pse Shqipëria e kishte për detyrë të përballonte atë krizë të jashtëzakonshme humanitare që erdhi nga Kosova për shkak të gjenocidit të Millosheviçit. Por shpesh, kur takohemi me kolegë të tjerë të asaj kohe, e kemi të vështirë ta besojmë se si mund të përballohej një krizë e këtyre përmasave.

Kriza e jashtëzakonshme humanitare u përballua falë përkushtimit dhe angazhimit të çdo shqiptari të thjeshtë.

Në mënyrë të veçantë do të theksoja solidaritetin heroik të popullit të Kukësit, pa harruar të gjitha familjet nga Tropoja deri në Sarandë, që mirëpritën vëllezërit e tyre nga Kosova, edhe pse në kushte mjaft të vështira ekonomike dhe sociale.

Kanë qenë momente tepër të vështira kur vetëm një komb i rrezikuar për ekzistencën e tij mund të reagojë në mënyrë të jashtëzakonshme dhe të triumfojë duke bërë të mundur që, jo vetëm Shqipëria ta përballonte këtë krizë humanitare dhe të mos destabilizohej, sikurse ishte objektivi tjetër i Millosheviçit përveç zbrazjes së Kosovës, por përkundrazi, të vazhdonte të ishte një prapavijë e sigurt për NATO-n, por edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

20 vite kanë kaluar dhe vërtet jemi shumë më mirë nga ç’kemi qenë njëzet vite më parë. Ashtu sikurse duhet të jemi më të vëmendshëm për të ardhmen dhe të shohim se çfarë duhet të bëjmë më mirë për t’u mos u motivuar dhe vënë në lëvizje virtytet tona më të mira kombëtare vetëm në kohë krizash.

Duhet të punojmë çdo ditë në mënyrë të përgjegjshme dhe të virtytshme që të evitojmë krizat dhe vështirësitë që i krijojmë vetes.

Pothuajse e kemi harruar se si ishte rruga midis Shqipërisë dhe Kosovës njëzet vite më parë. E kemi të qartë se çfarë ndryshimi historik ka ndodhur falë ‘Rrugës së Kombit’, një investim i jashtëzakonshëm dhe kolosal i Shqipërisë dhe i Kosovës dhe që ka krijuar një afërsi të pabesueshme, të cilën duhet ta shfrytëzojmë akoma edhe më mirë për të ardhmen e shkëlqyer të marrëdhënieve tona.

Shqetësim im është se duhet të punojmë më shumë për të mbrojtur të rinjtë në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo ku jetojnë shqiptarët në këtë rajon, për të mos braktisur vendin e tyre. Kjo është sfida jonë më e madhe.

Sepse kur një popull është në presion dhe në okupim, është i aftë të reagojë apo të mos humbasë përqendrimin, vigjilencën dhe përpjekjen për të ruajtur identitetin e tij në çdo mënyrë e me çdo çmim. Ndërsa në një periudhë lirie bëhemi më të pavëmendshëm ndaj atyre vlerave që duhet t’i ruajmë e që duhet t’i mbrojmë në mënyrë që gjithmonë të ketë Shqipëri dhe të ketë Kosovë.

Por Shqipëria dhe Kosova nuk mund të ekzistojnë pa shqiptarë, dhe sidomos pa të rinjtë dhe pa të rejat tona!

Në këtë drejtim duhet të punojmë akoma edhe më shumë e të reflektojmë, që t’u krijojmë mundësinë të rinjve tanë që ta shohin dhe ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu. T’u japim një rol më të madh në shoqërinë tonë. Të investojmë më shumë për edukimin e tyre, jo vetëm në dijet bashkëkohore, por me dashurinë për atdheun, me përgjegjësinë ndaj atdheut, sepse globalizimi ka mjaft aspekte pozitive, nga të cilat duhet të përfitojmë, por është një kërcënim serioz për vendet dhe kombet që nuk janë të vëmendshme dhe që mund të dëmtohen në mënyrë të pariparueshme nga ky proces.

Jemi në kohën e duhur për të pasur një reflektim më të plotë, më të thellë e të përbashkët në këtë drejtim.

Gjithashtu do të doja të shprehja falenderimin më të përzemërt për mbarë popullin e Kosovës, për Presidentin Thaçi, për kryeministrin dhe qeverinë e Kosovës, për të gjitha institucionet, në mënyrë të veçantë pë FSK-në, për ekipet e kërkim-shpëtimit për atë reagim të jashtëzakonshëm solidariteti që ne përjetuam në Shqipëri, pasi Kosova ishte e para që u gjend në Thumanë, në Durrës, kudo, atje ku tërmeti tragjik i 26 nëntorit shkaktoi edhe dëmet më të mëdha në jetën e njerëzve apo edhe dëme materiale!

Reagimi mjaft profesional i tyre dhe i menjëhershëm ka lënë gjurmë të thella dhe ka nxitur akoma edhe më shumë dashurinë e shqiptarëve për shqiptarët. Kështu duhet të vazhdojmë përherë, të jemi pranë njëri-tjetrit si para njëzet viteve, si përpara disa javësh dhe të jemi çdo ditë, sepse duke qenë çdo ditë më pranë njëri-tjetrit, duke bashkëpunuar gjithmonë e më mirë, padyshim që e ardhmja e Shqipërisë dhe e Kosovës do të jetë shumë e suksesshme!

Së fundmi, ky 21-vjetor i kujtimit të atij eksodi biblik, i atyre vuajtjeve biblike, por edhe i lirisë së Kosovës, është njëkohësisht edhe një mundësi që Kosova të tregojë vullnetin e saj për pajtim siç e ka treguar në mënyrë të vazhdueshme gjatë këtyre dy dekadave, për bashkëpunim, gjithmonë në mënyrën më dinjitoze, me të gjithë, duke qenë një shembull në rajonin tonë.

Sepse një popull që ka vuajtur kaq shumë nga padrejtësitë, është një popull që shikon drejt së ardhmes, me një energji pozitive, për të cilën ka kaq shumë nevojë i gjithë rajoni ynë, në mënyrë që të mos kemi më masakra si ato që ky rajon njohu për herë të fundit njëzet vite më parë këtu në Kosovë. Si ajo që përkujtuam pak ditë më parë në Reçak.

Edhe një herë suksese Kosovës!

Një falenderim të përzemërt jo vetëm organizatorëve, por të gjithë udhëheqësve të besimeve fetare, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në momentet më të vështira që kemi kaluar si komb, sepse kanë qenë dhe një faktor i jashtëzakonshëm i unitetit të popullit tonë për të përballuar sfidat më të mëdha, duke qenë një nxitje edhe për politikën që të ecë në rrugën e bashkëpunimit.”

SHKARKO APP