Meta tek “Forumi Ekonomik i Gruas”:Gruaja model i virtytit dhe i profesionalizmit

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim,Ilir Meta mori pjesë në “Forumin Ekonomik të Gruas” të organizuar nga Lëvizja e Gruas për Integrim.

Të pranishëm në këtë tryezë ishin edhe Kryetarja e LGI-së, Klajda Gjosha, Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, z. Edmond Haxhinasto, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, Zv.Ministrja e Integrimit, Erisa Xhixho, zv/Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, Zv.Ministrja e Zhvillimit Ekonomik Turizmit Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Adela Shera-Karapici, deputetë të LSI-së, përfaqësues të OSBE-së, Institutit Amerikan për Demokraci (NDI), të shoqërisë civile dhe si edhe të komunitetit të biznesit.

Në fjalën e mbajtur gjatë aktivitetit, Ilir Meta fillimisht përmendi shembullin e një biznesi lokal të ngritur në fshatin Krushë e Madhe të Kosovës nga një grup grash, të cilat kishin shfrytëzuar potencialet e zonës për të krijuar një aktivitet të qëndrueshëm e të sigurt.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Kur isha për një vizitë në Kosovë, në një zonë që quhet Krushë e Madhe kam parë një gjë mjaft konkrete, që më ka lënë shumë përshtypje. Ne të gjithë e dimë që vuajmë te zbatimi i strategjive dhe te zbatimi i ligjeve dhe te kthimi i fjalëve në vepra. Ajo që pashë unë atje ishte e pabesueshme. Këto gra, të cilat kishin humbur burrat për shkak të luftës, kishin krijuar një biznes shumë interesant e shumë social me një hapësirë as 50 metra katrorë, ku përpunonin produktet lokale bujqësore dhe i eksportonin, përveçse i prodhonin për tregun e Kosovës në Zvicër dhe në vende të tjera, ku është shumë e vështirë të eksportosh. Të gjitha proceset ndodhnin në një hapësirë shumë të vogël. Një biznes që drejtohej nga gratë, të cilat ishin të vetëpunësuara, por një biznes afatgjatë”, – tha Kryetari i LSI-së.

Swiss Digital Mobile Reklama
  1. Meta iu referua edhe projekteve që kanë filluar disa herë në Shqipëri për t’i angazhuar gratë në punë dhe për t’i trajnuar për profesione të ndryshme, por këto kanë qenë të përkohshme. Kjo sepse pas trajnimit dhe përfundimit të projektit nuk kanë patur një treg të sigurt.
  2. m

“E përmenda këtë, sepse mendoj që dy janë elementët kryesorë për ta fuqizuar ekonomikisht gruan. E para, mendoj se është formimi profesional, në të gjitha nivelet, që nga formimi profesional për të bërë një punë të thjeshtë, pra për atë që ka një shkollë 9-vjeçare apo një shkollë të mesme të përgjithshme jo profesionale, e deri te formimi profesional në nivelet më të larta dhe akademike. Së dyti është tregu. Në qoftë se ne nuk orientohemi drejt gjetjes së tregjeve, ne nuk krijojmë dot biznese të qëndrueshme, ne nuk krijojmë dot punësim të qëndrueshëm. Ne nuk konkurrojmë. Ne do të konsumojmë dhe do të zhytemi në borxhe, si shoqëri, si shtet si çdo gjë. Kështu që për mua ky aktivitet që kam parë në Kosovë, është shumë interesant, sepse bazohet mbi një produkt lokal”, – vijoi  Meta.

Kryetari i LSI-së theksoi se fuqizimi ekonomik është fuqizim shoqëror, sepse një grua e cila kontribuon në mënyrë të barabartë në familje, me bashkëshortin apo me pjesëtarët e tjerë të familjes, padyshim që ka një status tjetër nga një grua që nuk e ka këtë mundësi.

“Padyshim që fuqizimi politik është i rëndësishëm, por në qoftë se fuqizimi politik, pra rritja e pjesëmarrjes në qeveri, rritja e pjesëmarrjes në Parlament, rritja e pjesëmarrjes në pushtetin lokal, ku tashmë kemi barazi të plotë gjinore, në qoftë se nuk do të shoqërohet me përfshirjen e gruas në gjithë jetën ekonomike e shoqërore të njësisë ku ajo jeton, atëherë kjo do të mbetet diçka fiktive dhe jo përfaqësuese, jo reale. Kështu që unë besoj se në mënyrë konkrete mund të jepen mesazhe të qëndrueshme për të ardhmen. Nuk është çështja thjesht të diskutojmë, por të japim disa modele. Shoqëria jonë ka nevojë për disa modele konkrete. Është shoqëri e lodhur nga fjalët. Më mirë një punë konkrete, që e shohin të gjithë se si funksionon se sa të flasim pa fund për strategji”, – shtoi z. Ilir Meta gjatë fjalës së tij.

Për Kryetarin e LSI-së, Shqipërisë i duhen modele siç janë ato të grave që punojnë dhe që janë kthyer në shembuj suksesi në fushën e sipërmarrjes.

“Unë besoj që duke i shumëfishuar këto modele konkrete, qoftë edhe jo shumë të mëdha për momentin, ne arrijmë të krijojmë një frymëzim që është e mundur. Dhe derisa kjo gjë u bë në një fshat atje në Kosovë, përse kjo gjë nuk u bëka në një fshat në Lushnjë, apo në Fier apo diku tjetër. Unë mendoj se kjo do të bëjë të mundur që ne të jemi më tokësorë dhe të bëjmë të mundur që të integrojmë sa më shumë gra në jetën ekonomike dhe sociale. Gjithashtu, edhe të japim mesazh të rëndësishëm të luftës kundër varfërisë, e cila prek kryesisht gratë dhe të luftës kundër pabarazisë, e cila është e shumanshme. Dhe mesazhet e fuqishme të përfshirjes, të solidaritetit, pastaj për të kaluar tek ajo që e themi gjithmonë e modernizimit të shoqërisë, integrimit evropian, e kështu me radhë”, – deklaroi z. Meta, i cili shprehu bindjen se nga kjo tryezë do të dilet me mesazhe edhe më konkrete në Parlament përmes monitorimit të zbatimit të legjislacionit, sidomos në mbështetje të grave kryefamiljare.

m1

“Mendoj se ky duhet të jetë një prioritet për t’i mbështetur ato për gjithë shoqërinë, për shtetin, për institucionet, për gratë sipërmarrëse, sepse ndeshin vështirësi të mëdha se përsëri përveçse do të merren me sipërmarrjen, do të merren edhe me problemet e familjes dhe kështu me radhë”, – tha Ilir Meta ndër të tjera.

Duke marrë fjalën në këtë forum, Kryetarja e LGI-së, Klajda Gjosha tha se Lëvizja Socialiste për Integrim në fakt ka qenë një shembull jo vetëm i dëgjesave që ka bërë për të gjitha gratë dhe vajzat, por dhe shumë dhe shumë iniciativave.

“Duke filluar këtu që me statutin e Lëvizjes së Gruas për Integrim në vitin 2012, ku ne realisht prezantuam 50% e grave dhe vajzave në të gjitha instancat drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe nuk është pak. Sepse nga ky statut lindi më pas edhe një 50% pikërisht me një iniciativë të drejtpërdrejtë të znj. Silva Caka, që unë dua realisht ta falënderoj, ku në Parlament u paraqit 50% i grave dhe vajzave në të gjitha këshillat bashkiak. Të mos harrojmë që të gjitha këto që ne diskutojmë në këto tryeza nuk janë pa vlerë. Janë iniciativa që kthehen në realitet. Kështu që vetë nga ky forum unë kam bindjen që platforma e këtij forumi në fakt do të kthehet nesër në realitet. Ashtu siç tha edhe kryetari, patjetër që ne nuk do të diskutojmë vetëm në teori por edhe në strategji”, – tha  Gjosha.

Ndërsa kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, z. Petrit Vasili tha se në të gjitha diskutimet që u bënë në forum, një nga elementet thelbësorë ishte edhe qëndrimi ligjor në mënyrë të veçantë të nismave që gratë sipërmarrëse marrin.

“Shpeshherë mbështetja ligjore e tyre, lehtësirat ligjore të gjitha llojeve dhe formave, qofshin fiskale apo lehtësira të tjera, janë një kryefjalë në shumë momente. Gjëja e vetme që mund të them këtu, është që grupi parlamentar i LSI-së, ashtu siç ka qenë në të gjithë mënyrën e funksionimit të tij, i shpejtë dhe konkret në propozimin e nismave të tilla, do të jetë gjithmonë shumë i gatshëm dhe i predispozuar që në kohën më të shpejtë të mundshme, të jetësojë të gjithë ato nisma që forumi do të gjejë të dobishme. Dhe pas konsultimit do të gjejë ato çështje që janë të mundura për t;u propozuar, në mënyrë që në këtë pikë të jemi shumë konkret që të kemi nisma që ndërmerren, të lobojmë deri në fund për t’i çuar në Parlament. Dhe ato le ta kenë shenjën edhe të nismës politike të Lëvizjes së Gruas për Integrim, që propozon dhe ne kemi mundësi t’i jetësojmë në Parlament këto nisma të dobishme”, – deklaroi Vasili.

Zv.Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Adela Shera-Karapici tha gruaja si çdo pjesë tjetër e shoqërisë kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit nëpërmjet aktivitetit ekonomik që kryen.

“Gruaja, si çdo pjesë tjetër e shoqërisë ka një kontribut dhe vlerë, është pjesë e tregut, është pjesë e komunitetit, por ajo kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit nëpërmjet aktivitetit ekonomik që kryen. Po kështu nëpërmjet fuqizimit ekonomik të gruas ne mund të arrijmë progresin ekonomik, sepse është një katalizator dhe mjet vital për të siguruar rritjen ekonomike të qëndrueshme ose vetë zhvillimin ekonomik. Ajo që unë dua të veçoj është që gratë marrin pjesë në shumë sektorë të ekonomisë, janë pjesë dhe kontribut me vlerë në shumë sektorë të ndryshëm siç është bujqësia, punimet artizanale e kështu me radhë. Por ajo që duam nëpërmjet këtij forumi është që ne të japim një mesazh, që gruaja duhet të fuqizohet ekonomikisht dhe gruaja duhet të fuqizohet dhe ka nevojë për mbështetje dhe suport në aktivitetin dhe biznesin që ajo kryen”, – deklaroi ndër të tjera Zv.Ministrja Adela Shera-Karapici.

m3

Fjala e Kryetarit të LSI-së,Ilir Meta në Forumin Ekonomik të Gruas

Unë mendoj që gratë duhet të përfaqësojnë veprat dhe fjalët t’ua lëmë burrave. Kjo është mënyra më e mirë, që ato vetë të fuqizohen dhe që Shqipëria të ecë më shpejt përpara. Dëgjova shumë nga idetë tuaja dhe ato i kemi dëgjuar edhe më përpara, por para disa javësh, kur isha për një vizitë në Kosovë, në një zonë që quhet Krushë e Madhe. Është një fshat i madh ku ka ndodhur një masakër e jashtëzakonshme, ku janë vrarë rreth 241 veta dhe kam parë një gjë mjaft konkrete, që më ka lënë shumë përshtypje.

Kemi dëgjuar strategji, që do bëjmë strategji. Ne të gjithë e dimë që ne vuajmë te zbatimi i strategjive dhe te zbatimi i ligjeve dhe te kthimi i fjalëve në vepra. Ajo që pashë unë atje ishte e pabesueshme.

Këto gra, të cilat kishin humbur burrat për shkak të masakrës, kishin krijuar një biznes shumë interesant dhe shumë social me një hapësirë as 50 metra katrorë, ku përpunonin produktet lokale bujqësore dhe i eksportonin, përveçse i prodhonin për tregun e Kosovës në Zvicër dhe në vende të tjera, ku është shumë e vështirë të eksportosh.

m7

Të gjitha proceset ndodhnin në një hapësirë shumë të vogël. Një biznes që drejtohej nga gratë, të cilat ishin të vetëpunësuara, por një biznes afatgjatë. Unë kam vënë re në Shqipëri që kanë filluar disa herë disa projekte për t’i angazhuar në punë, për t’i trajnuar, për të bërë shporta apo diçka tjetër, por këto kanë qenë të përkohshme. Sepse vërtetë janë trajnuar gratë, por mbasi ka mbaruar ai projekti, nuk kanë patur një treg të sigurt.

E përmenda këtë për arsye, sepse mendoj që dy janë elementët kryesorë për ta fuqizuar ekonomikisht gruan. E para, mendoj se është formimi profesional, në të gjitha nivelet, që nga formimi profesional për të bërë një punë të thjeshtë, pra për atë që ka një shkollë 9-vjeçare apo një shkollë të mesme të përgjithshme jo profesionale, e deri te formimi profesional në nivelet më të larta dhe akademike.

Së dyti është tregu. Në qoftë se ne nuk orientohemi drejt gjetjes së tregjeve, ne nuk krijojmë dot biznese të qëndrueshme, ne nuk krijojmë dot punësim të qëndrueshëm. Ne nuk konkurrojmë. Ne do të konsumojmë dhe do të zhytemi në borxhe, si shoqëri, si shtet si çdo gjë. Kështu që për mua ky aktivitet që kam parë në Kosovë, është shumë interesant, sepse bazohet mbi një produkt lokal.

Ne mund të bëjmë teori këtu, por këto teoritë tona nuk funksionojnë në Gramsh apo në Tepelenë apo diku tjetër. Ne duhet të shohim se çfarë produktesh lokale mund të përpunohen dhe mund të shiten në treg dhe si t’i aftësojmë njerëzit në këtë drejtim. Dhe si t’i gjejmë tregjet si shtet, si institucione, si dhoma biznesi, tregtie, si shoqata të grave sipërmarrëse që janë disa.

Së treti, unë mendoj që fuqizimi ekonomik është fuqizim shoqëror, patjetër edhe politik. Por është fuqizim shoqëror, sepse një grua e cila kontribuon në mënyrë të barabartë në familje, me bashkëshortin apo me pjesëtarët e tjerë të familjes, padyshim që ka një status tjetër nga një grua që nuk e ka këtë mundësi dhe që duket sikur po jeton prej burrit, prej babait apo vëllait.

Kështu që padyshim që fuqizimi politik është i rëndësishëm, por në qoftë se fuqizimi politik, pra rritja e pjesëmarrjes në qeveri, rritja e pjesëmarrjes në Parlament, rritja e pjesëmarrjes në pushtetin lokal, ku tashmë kemi barazi të plotë gjinore, në qoftë se nuk do të shoqërohet me përfshirjen e gruas në gjithë jetën ekonomike e shoqërore të njësisë ku ajo jeton, atëherë kjo do të mbetet diçka fiktive dhe jo përfaqësuese, jo reale.

Kështu që unë besoj se në mënyrë konkrete mund të jepen mesazhe të qëndrueshme për të ardhmen. Nuk është çështja thjesht të diskutojmë, por të japim disa modele. Shoqëria jonë ka nevojë për disa modele konkrete. Është shoqëri e lodhur nga fjalët. Më mirë një punë konkrete, që e shohin të gjithë se si funksionon se sa të flasim pa fund për strategji, dhe ju siguroj se një pjesë të madhe të strategjive nuk i lexon njeri dhe nuk i merr më njeri seriozisht për fat të keq.

Na duhen modele dhe ka modele në Shqipëri, ka modele të grave, që punojnë, që janë shumë të afta, që janë shumë të zonja, që kanë nevojë të njihen, që kanë nevojë të mbështeten. Ka modele kudo në çdo drejtim. Dhe unë besoj që duke i shumëfishuar këto modele konkrete, qoftë edhe jo shumë të mëdha për momentin, ne arrijmë të krijojmë një frymëzim që është e mundur. Dhe derisa kjo gjë u bë në një fshat atje në Kosovë, përse kjo gjë nuk u bëka në një fshat në Lushnjë, apo në Fier apo diku tjetër.

Nuk bëhet fjala për biznese shumë të mëdha, por bëhet fjala për biznese të qëndrueshme, të sigurta dhe ku lënda e parë është produkti lokal që e bën zona. Unë mendoj se kjo do të bëjë të mundur që ne të jemi më tokësorë dhe të bëjmë të mundur që të integrojmë sa më shumë gra në jetën ekonomike dhe sociale. Gjithashtu, edhe të japim mesazh të rëndësishëm të luftës kundër varfërisë, e cila prek kryesisht gratë dhe të luftës kundër pabarazisë, e cila është e shumanshme. Dhe mesazhet e fuqishme të përfshirjes, të solidaritetit, pastaj për të kaluar tek ajo që e themi gjithmonë e modernizimit të shoqërisë, integrimit evropian, e kështu me radhë.

m2

Unë besoj që ju i keni të gjitha mundësitë dhe aftësitë për t’i evidentuar këto modele, këto modele që flasin në mënyrë konkrete dhe që tregojnë se gjërat janë të mundshme, janë të realizueshme që të bëhen këtu.

Dhe në këtë mënyrë të japim mesazhe të qarta që edhe Lëvizja e Gruas për Integrim është një lëvizje, që është e lidhur fuqimisht me problemet atje ku ato janë. Me problemet atje ku ato duhet të zgjidhen, sepse ne vërtetë diskutojmë te Hotel Tirana, por problemi duhet zgjidhur atje në atë fshat, duhet zgjidhur atje në lagjen periferike të qytetit e kështu me radhë, në mënyrë që të japim mesazhe shprese dhe mesazhe të perspektivës për t’i integruar gratë dhe vajzat në shoqërinë tonë.

Sa i takon aspektit politik, ne jemi shumë të kënaqur, me modelin e Lëvizjes Rinore për Integrim, për rolin që kanë luajtur vajzat atje, një rol të jashtëzakonshëm. Të gjithë habiten pse kryetari është djalë, por kjo tregon tolerancën e vajzave, nuk tregon fuqinë e djemve në LRI.

Sa i takon LGI-së, unë besoj se pas kësaj tryeze do të kemi mesazhe edhe më konkrete në Parlament përmes monitorimit të zbatimit të legjislacionit, sidomos në mbështetje të grave kryefamiljare. Mendoj se ky duhet të jetë një prioritet për t’i mbështetur ato për gjithë shoqërinë, për shtetin, për institucionet, për gratë sipërmarrëse, sepse ndeshin vështirësi të mëdha se përsëri përveçse do të merren me sipërmarrjen, do të merren edhe me problemet e familjes dhe kështu me radhë.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?