Meta, thirrje qytetarëve: Edhe 48 orë nga zgjedhjet. Shmangni çdo incident dhe provokim

Kur na ndajnë edhe 48 orë nga zgjedhjet parlamentare, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta jep një mesazh të fortë, ku i drejtohet qytetarëve që të shmangin çdo incident dhe provokim. Kreu i shtetit, po ashtu thotë se të gjithë i kanë sytë te Shqipëria, vendi më problematik i rajonit dhe i Europës për zbatimin e standardeve të demokracisë dhe të zgjedhjeve. ”Të tregojmë qytetari dhe kulturë demokratike në këto zgjedhje sepse ato duhet të jenë një moment bashkimi dhe feste e demokracisë. Pjesëmarrja e çdo qytetari në zgjedhje është jo vetëm një detyrim qytetar, por edhe një akt i domosdoshëm patriotik. Me votën tuaj të lirë, ju vendosni për Shqipërinë në Europë! Ju vendosni për Shqipërinë e shqiptarëve! Më 25 Prill vendosni Ju! Vendos Sovrani”,-shkruan më tej Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Deklarata e plotë

Të dashur qytetarë, nëna, baballarë, motra, vëllezër dhe ju të reja dhe të rinj! Mbeten vetëm 48 orë, kur me votën tuaj ju do të përcaktoni vullnetin e Sovranit për drejtimin e vendit. Të gjithë i kanë sytë te Shqipëria, vendi më problematik i rajonit dhe i Europës për zbatimin e standardeve të demokracisë dhe të zgjedhjeve.

Le të manifestojmë me qytetari dhe kulturë demokratike, vullnetin tonë të lirë për zgjedhjen e përfaqësuesve tanë në drejtimin e vendit. Prandaj, në këto orë të mbetura nga Referendumi historik i 25 Prillit, bëj thirrje, që të shmanget çdo incident artificial dhe provokim i qëllimshëm, që synon të dëmtojë zgjedhjet dhe imazhin e Shqipërisë.

Një thirrje të posaçme, u drejtoj të gjithë forcave të ruajtjes së rendit, Policisë së Shtetit dhe punonjësve të administratës publike, që të tregojnë integritet dhe të ushtrojnë detyrën e tyre duke zbatuar me rigorozitet vetëm ligjin duke mos u bërë palë me politikën. E ritheksoj, që këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme. Sepse ato janë jo vetëm për 4 vite, por për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Prandaj, të tregojmë qytetari dhe kulturë demokratike në këto zgjedhje sepse ato duhet të jenë një moment bashkimi dhe feste e demokracisë. Pjesëmarrja e çdo qytetari në zgjedhje është jo vetëm një detyrim qytetar, por edhe një akt i domosdoshëm patriotik. Me votën tuaj të lirë, ju vendosni për Shqipërinë në Europë! Ju vendosni për Shqipërinë e shqiptarëve! Më 25 Prill vendosni Ju! Vendos Sovrani!

SHKARKO APP