Meta uron Presidentin e Polonisë, Andrzej Duda, për rizgjedhjen e tij në detyrë
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar homologun polak, Andrzej Duda, me rastin e rizgjedhjes së tij në këtë detyrë. Në mesazhin e tij, Presidentit Ilir Meta vlerëson procesin e përzgjedhjes së kreut të shtetit polak si shembullin e kulturës institucionale dhe demokratike të këtij vendi.
Kreu i shtetit shqiptar thekson se rizgjedhja e Presidentit Andrzej Duda do të shërbejë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. “Shpreh besimin se, gjatë mandatit Tuaj të dytë, marrëdhëniet miqësore e të bashkëpunimit midis dy vendeve e dy popujve tanë, do të zhvillohen e pasurohen edhe më tej. Jam i bindur se, falë vullnetit dhe vizionit të përbashkët evropian e euroatlantik, së bashku mund t’i japim këtyre marrëdhënieve një dinamikë të re, në të gjitha drejtimet”,- shprehet Presidenti Meta në mesazhin e tij.
Kreu i shtetit shqiptar vlerëson dhe mbështetjen e Polonisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Presidenti Meta shprehet se “Shqipëria dhe shqiptarët i janë thellësisht mirënjohës Polonisë për mbështetjen e fuqishme ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe vijimit të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Mesazhi i Presidentit Ilir Meta për Presidentin e Republikës së Polonisë, Andrzej Duda
I nderuar Zoti President,
Rizgjedhja Juaj si President i Republikës së Polonisë, më jep kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’Ju përcjell urimet më të ngrohta e të sinqerta për vijimin e përmbushjes me sukses të angazhimeve Tuaja në drejtimin e mëtejshëm të vendit Tuaj mik.
Më lejoni, gjithashtu, të përgëzoj popullin dhe institucionet përkatëse polake që në processin e zgjedhjes së Presidentit të vendit të tyre realizuan me shumë sukses një ngjarje të rëndësishme demokratike, duke dhënë shembullin e një kulture institucionale dhe demokracie të konsoliduar.
Shpreh besimin se, gjatë mandatit Tuaj të dytë, marrëdhëniet miqësore e të bashkëpunimit midis dy vendeve e dy popujve tanë, do të zhvillohen e pasurohen edhe më tej. Jam i bindur se, falë vullnetit dhe vizionit të përbashkët evropian e euroatlantik, së bashku mund t’i japim këtyre marrëdhënieve një dinamikë të re, në të gjitha drejtimet.
Shqipëria dhe shqiptarët i janë thellësisht mirënjohës Polonisë për mbështetjen e fuqishme ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe vijimit të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Prania Juaj në Samitin e Brdo-Brijuni, mbajtur në muajin Maj 2019 në Tiranë, si dhe mesazhet Tuaja gjatë vizitës sime në Varshavë me rastin e 80 vjetorit të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, më bëjnë optimist për një të ardhme të shkëlqyer të marrëdhënieve ndërmjet Polonisë dhe Shqipërisë.
Së bashku me urimet më të mira për shëndetin e lumturinë Tuaj, si dhe progresin e pandalshëm të Polonisë, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.