Meta: Zgjedhjet duhet të ishin mbajtur më herët. Në 25 prill, koha për një përmbysje të madhe
Presidenti i Republikës Ilir Meta në një intervistë për “ALB365” ka folur gjatë për gjendjen aktuale të politikës shqiptare, për përgjimet italiane të Antimafies ku lakohen dhe emra të politikanëve shqiptarë, që janë bërë refreni i ditës në kafene, parqe, tavolina lokalesh e zyrash por jo vetëm, diskutohen edhe në qarqe diplomatike etj.
“Prokuroria e SPAK-u duhet të nisin hetimet”, është shprehur ai.
Zoti Meta ka pohuar dhe marrëdhëniet e mira që ka me disa ish-presidentë, apo konsulta që ai zhvillon me ta në raste të veçanta.
Presidenti Meta janë ndalur më gjatë tek problemet e Qarkut të Fierit, tek problemet që ndeshet sot fermeri shqiptar, tek mosmbështetja me politika nga ana e qeverisë, tek nafta dhe naftëtarët e cila dikur ka qenë baza e punësimit të banorëve të zonës, tek arsimi, mjekësia, tek shpopullimi.
“Është koha e përmbysjes”, ka pohuar Meta.
Pjesë nga intervista
Pyetje (nga Xhemil Beharaj): Si e shihni atmosferën politike në prag të zgjedhjeve të reja, pasi kanë ngelur më pak se 90 ditë?
Presidenti Meta: Të gjithë ndajmë të njëjtin mendim, që zgjedhjet duhet të ishin mbajtur me kohë, në kuptimin e zgjidhjes së shumë problemeve ekonomike e sociale, që jo vetëm nuk kanë marr një drejtim por, janë majisur tepër rëndë, duke shtuar akoma më shumë varfërinë dhe padrejtësitë ndaj qytetarit të thjeshtë, të palidhur politikisht me pushtetin, në nivel qendror apo vendor.
Është evidente, se tashmë vendi përballet me dy probleme të mëdha, bllokimin e integrimit europian, pra me mosçeljen e negociatave prej kaq kohësh, si dhe me ritmet dramatike të shpopullimit, largimit masiv i të rinjve dhe forcave më aktive, në një asimetri me vendet e tjera të rajonit.
Shpopullimi dhe pasojat e tij, ndihen besoj nga vetë mësuesit, nga shkollat 9-vjeçare, të mesme dhe Universitetet, ku çdo vit ka gjithnjë e më pak regjistrime, mbyllen shkolla dhe degë në fakultete.
E ndjejnë sipërmarrësit, të cilët kanë paqëndrueshmëri të fuqisë punëtore, madje nuk kanë shpesh fuqi punëtore për shkak të largimeve.
E ndjen ekonomia shqiptare dhe mbi të gjitha ndihet në familjen shqiptare, që po tkurret dhe po përjeton kriza të mëdha.
Ndaj është koha për një përmbysje të madhe.
Pyetje: Ju u shprehët që politika është e majisur.!
Presidenti Meta: Problemet janë majisur dhe nuk kanë marrë zgjidhje.