Metës i ndalohet pjesëmarrja në Kongresin e PES-it? Partia e Lirisë: Fake news
Këtë të enjte, mediat në vend kanë publikuar foto të një e-maili ku pretendohet se Partia Socialiste Europiane, i ka ndaluar Ilir Metës pjesëmarrjen e tij në Kongresin që pritet të zhvillohet në Berlin në mes të muajit tetor. Në media qarkullon po ashtu lajmi se Metës i është ndaluar pjesëmarrja për shkak të bashkëpunimit me Sali Berishën.
Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi e cilëson lajmin si të pavërtetë, ku po ashtu sqaron se Meta as ka kërkuar të shkojë i ftuar diku në Berlin dhe as ka kërkuar ndonjë ftesë.
“Një rast flagrant, për të ardhur keq sesi në mungesë të theksuar profesionalizmi, një media e kapur dhe në shërbim 24/24 të propagandës së fëlliqur të Qeverisë, dezinformon hapur duke gënjyer ditën për diell lexuesit, me një mashtrim kaq të trashë. Ilir Meta as ka kërkuar të shkojë i ftuar diku në Berlin dhe as ka kërkuar ndonjë ftesë se ka punë shumë të rëndësishme në Shqipëri!”, thuhet në reagim.
Po ashtu nënvizon edhe se e-mail që pretendohet se ka ardhur përgjigja nga partia europiane, “nuk është çuar në adresën e Partisë së Lirisë, por në adresën info@lsi.al, në email të Ralf Gjonit dhe adresën fake të Monika Kryemadhit, që nuk ekziston: monika.kryemadhi@gmail.com”.