Mijëra familje protestë në Durrës/Malaj: Kërkojnë veç të drejtën e tyre

Ish-deputetja e LSI-së, Nora Malaj, përmes një postimi në facebook, ka reaguar për protestën e mijërave familjeve durrësake. Sipas saj, ata kërkojnë veç të drejtën e tyre. ”Me qindra familjeve durrsake nuk u njihen dëmet e tërmetit të 26 nëntorit 2019 sipas listave DS1, DS 2 dhe DS 3 edhe pse i kanë dokumentat e rregullta për dëmet e shkaktuara dhe klasifikimet e bëra. Po ndodhin marrëzi dhe përzgjedhja selektive. Me mijëra familje i kanë rregulluar me shpenzimet e veta dëmet e tërmetit. Nuk ka shpjegime zyrtare se çfarë do të ndodhë me shumë pallate”.

Postimi i plotë

Java për qytetin e bukur bregdetar filloi me tubimin e familjeve durrsake. Ata nuk mund t’i gëzohen as detit mahnitës, as plazhit dhe diellit dhe as historisë së lashtë të këtij qyteti antik, se ata janë pa shtëpi dhe askush nuk i njeh dhe përkrah hallet e tyre. Me qindra familjeve durrsake nuk u njihen dëmet e tërmetit të 26 nëntorit
2019 sipas listave DS1, DS 2 dhe DS 3 edhe pse i kanë dokumentat e rregullta për dëmet e shkaktuara dhe klasifikimet e bëra.

Po ndodhin marrëzi dhe përzgjedhja selektive. Në të njëjtin pallat të dëmtuar një familje përzgjidhet, ajo e katit më poshtë jo. Durrësi është i braktisur nga qeveria dhe i lënë në harresë dhe mëshirën e fatit. Me mijëra familje i kanë rregulluar me shpenzimet e veta dëmet e tërmetit.

Nuk ka shpjegime zyrtare se çfarë do të ndodhë me shumë pallate. Një pasiguri e madhe ndër banorët e Durrësit dhe një papërgjegjshmëri dhe mungesë profesionalizmi nga ana e pushtetit lokal dhe qeverisë qendrore.

Ka ende banesa të dëmtuara që janë rrezik për banorët dhe kalimtarët. Asgjë nuk po bëhet. Jepini zgjidhje banorëve, mos e braktisni Durrësin, tregohuni të përgjegjshëm. Durrësi nuk do jua falë kurrë neglizhencën tuaj.

Se Durrësi është histori dhe rrënjët e lashta të ilirisë së djeshme dhe Shqiperisë së sotme por në radhë të parë është i qytetarëve durrsak , të cilët duan të jetojnë dhe të gëzojnë të sigurtë në banesat e tyre. Mos i trajtoni ca të nënës e ca të njerkës por mendoni dhe vështrojini ata. Shteti ka detyrë të mbrojë qytetarët e tij.

SHKARKO APP