Mike Pence ”tradhton” Trump për Biden, ja vendimi befasues
Zv/presidenti amerikan, Mike Pence ka vendosur që do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, ndryshe nga shefi i tij, Donald Trump që nuk do të marrë pjesë. Trump ka thyer kështu traditën e vjetër të dorëzimit të mandatit nga një president tek tjetri.
Sipas medieve të huaja, Pence nuk iu përgjigj thirrjes së presidentit aktual, Donald Trump për të kundërshtuar certifikimin votave të Kolegjit Elektoral nga ana e Kongresit.
Një turmë mbështetësish të dhunshëm të Trumpit, sulmuan Kongresin të mërkurën në përpjekje për të ndaluar procedurën e certifikimit. Nga trazirat mbetën pesë persona të vdekur. Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, në fillim të javës tha se Pence do të ishte i mirëpritur në betimin e tij zyrtar më 20 janar.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha se demokratët do të fillonin procesin e shkarkimit nëse Donald Trump nuk jep dorëheqjen. Ajo i bëri thirrje Pence që të thirret në Amendamentin e 25-të të Kushtetutës, i cili i lejon kabinetit qeveritar të heq presidentin nga detyra. Deri më tani Pence nuk ka folur publikisht për këtë temë. ”New York Times”, njoftoi të enjten se ai ishte kundër kësaj mase, e cila nuk është përdorur kurrë më parë në historinë e SHBA-së.