Mile e LSI akuzon Shkëmbin e PS: Ti ishe pjesë e “pazarit” sëbashku me Kaprin

 

Diana Mile, kandidatja e LSI-së në Pogradec, që i humbi zgjedhjet, ka akuzuar ish-kryebashkiuan Artan Shkëmbi se ai ishte shkaktar i humbjes, pjesë e “pazarit” që u bë, duke bashkëpunuar me kryetarin aktual Eduard Kapri për të betonizuar qytetin dhe ngritur pallate 12-katëshe.

Pas deklaratës së bërë dje nga Shkëmbi, Mile kundërpërgjigjet: “Dje lexova analizën e zgjedhjeve për bashkinë e Pogradecit nga ish-kryetari i saj. Ashtu siç shprehet ish-kryetari, “këtë gjithkush e ka kuptuar në Pogradec…”

Gjithkush e ka kuptuar dhe jo vetëm në Pogradec, që këtu u bë pazar nga drejtuesit, ku ishte dhe ai pjesë, ndërkohë që 16024 banorë votuan ndershmërisht kandidaturën time, të ASHE-së. Kandidaturë e mbështetur fort nga kryeministri dhe kryetari i Kuvendit ishte e përshtatshme edhe për 16 mijë bashkëqytetarë të mi, që unë i falënderoj. Kjo kandidaturë ishte e papërshtatshme për pazarxhinjtë e Pogradecit, përfshi edhe ish kryetarin që u bë personi shkaktar i betonizimit të qytetit.

Ju, zoti ish-kryetar nuk punuat asnjë ditë pro fushatës së përbashkët PS-LSI sepse do punonit për veten.

Zoti ish-kryetar e dinte që unë kam strukturuar bashkinë në mandatin e tij të parë, (mandat i suksesshëm që ja shiti këtij qyteti për 12 vjet), hartova dhe miratuam në bashkëpunim me qeverisjen qendrore, maj 2005, një plan të qendrës së Pogradecit në funksion të turizmit të cilën ish-kryebashkiaku nuk e vuri asnjëherë në zbatim për t`i hapur rrugë bashkëpunimit me kryetarin e sapozgjedhur të bashkisë së Pogradecit Eduard Kapri, për të zaptuar hapësira publike, për të prerë pemë, për të flakur rëndom në lulishte bustet e dy heronjve të Pogradecit, për të zbehur dhe cenuar imazhin e katedrales së re duke ndërtuar vetëm pallate 12 katësh.

Nëse ju aludoni për kandidaturën time, përse kryetarja e këshillit bashkiak mori vetëm 16 vota nga 21 këshilltarë të koalicionit të majtë…ai votim ishte pjesë e pazarit ku ju ishit i përfshirë.

Me kontributin tim individual i shërbej qytetit tim edhe pas humbjes së këtyre zgjedhjeve. Ku jeni ju nga dita që dhatë dorëheqjen… merakosem për këtë Shqipëri se si ta lanë ty në dorë të zbatoni reformën historike, administrativo-territoriale.

Opinioni juaj që Pogradeci nuk është bastion i majtë nuk përputhet me profesionin tuaj të hershëm si matematicien. E për të mos vazhduar shumë gjatë po ju kujtoj dorëheqjen time në vitin 2006 dhe të gjithat kundërshtitë e hapura kundër asaj që bëje dhe dëmtonte qytetin tim, thonë që: Ndjenja më e keqe është inati”, përfundon reagimin e saj Diana Mile në “Dita”.

SHKARKO APP