Milionerët e institucioneve të Kosovës

 

Puna në institucionet dhe ndërmarrjet publike vazhdon të jetë mundësia më e mirë për ta shtuar pasurinë.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë së 412 zyrtarëve të lartë publikë nga Presidenca, Kuvendi i Kosovës, Qeveria, institucionet e pavarura, ndërmarrjet publike dhe komunat, shkruan sot Koha Ditore. Në bazë të asaj që kanë deklaruar, milionerë ka në secilin institucion.

Por, zyrtarët me pagën më të lartë në Kosovë nuk janë as presidentja, as kryeministri e as kryetari i Kuvendit.

Adrian Zalli, drejtor i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, është zyrtari që ka pagën katërfish më të lartë se të kryeministrit të Kosovës, apo për gjysmë më e madhe se e presidentes. Sipas formularëve të deklarimit të pasurisë, Zalli ka pagë vjetore prej 71 mijë e 500 eurosh, apo rreth 6 mijë euro në muaj. Ai gjithashtu ka deklaruar edhe 810 euro mëditje nga udhëtimet.

Pas Zallit, pagën më të lartë e ka kryeshefi ekzekutiv i Postë-Telekomit të Kosovës (PTK), Ejup Qerimi, i cili merr rreth 50 mijë euro në vit.

Ndërkaq Sejdi Hoxha, që është kryeshef ekzekutiv i Postës së Kosovës (PK), ka pagë mujore prej 3 mijë eurosh, apo 36 mijë euro në vit. Kurse drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjuka, merr pagë mujore prej 2 mijë e 800 eurosh.

Edhe pse nuk qëndron më mirë se zyrtarë të ndërmarrjeve publike, e para e vendit, Atifete Jahjaga, e ka shtuar pasurinë e saj nëse krahasohet me periudhën kur ka marrë mandatin. Derisa në vitin 2011 Jahjaga kishte deklaruar para të gatshme në banka vetëm 7 mijë e 849 euro, në vitin 2015 kjo shumë është dhjetëfishuar. Tani Jahjaga të deponuara në banka i ka 85 mijë e 960 euro. Ajo ka deklaruar edhe një veturë, “Shkoda New Octavia 1.6 TDI”- vlera e së cilës është 16 mijë 500 euro. Të hyrat mujore të Jahjagës dhe burrit të saj Astritit janë 2 mijë e 873 euro, përkatësisht 966 euro.

SHKARKO APP