Milo: Po ndryshon sistemi i sigurisë në Europë, jemi në një edicion të dytë të Luftës së Ftohtë
Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, thotë se kemi një sfond përplasjeje indirekte mes NATO-s dhe Rusisë dhe nëse nuk do të ketë përpjekje për të gjetur marrëveshje mund ti përshkallëzohet dhe mund të rrezikojë paqen. Për të lufta ruse në Ukrainë ka ndryshuar sistemin ndërkombëtar dhe po ndryshon konceptin e sigurisë ndërkombëtare.
”Kemi në sfond një përplasje ndoshta jo direkte, por indirekte mes Perëndimit, SHBA-së, NATO-s me Rusinë që mund të jetë në sfond tani, por ka rrezikun me kalimin e kohës, nëse nuk do të ketë përpjekje për të gjetur marrëveshje mund të përshkallëzohet dhe mund të rrezikojë paqen.
Kur ka një vit që lufta po zhvillohet dhe ka sjellë rrjedhoja nuk duhet ulur vigjilenca për rrjedhojat që mund të sjellë një përshkallëzim i luftimeve. Është epokale lufta në Ukrainë, ka ndryshuar shumë gjëra, por është duke ndryshuar sistemi ndërkombëtar, po ndryshon koncepti i sigurisë ndërkombëtare dhe evropiane. Pas kësaj lufte bota do të jetë ndryshe.
Gara e armatimit ka nisur. Përshkallëzimi është si mjet garancie mes tyre. Do të vazhdojë siç ka vazhduar jemi në një edicion të dytë të Luftës së Ftohtë, jemi rikthyer, për nga mënyra si zhvillohen ngjarjet. Lufta e Ftohtë sot nuk është mes komunizmit si sistem me botën perëndimore, por është përplasje mes botës perëndimore dhe lindjes agresive gjeo-politike”,-tha Milo për ”MCN TV”.