“Milot-Balldren”/ VOA vlerëson Metën: PPP shqetësuese dhe për ndërkombëtarët

Në Shqipëri presidenti Ilir Meta, i ktheu pas parlamentit të enjten, kontratën e koncesionit për ndërtimin e aksit rrugor Milot-Balldren, 17,2 kilometra i gjatë, me një vlerë prej 256 milion eurosh, miratimi i së cilës ishte paraprirë nga debate të forta për kostot e larta dhe dyshimet mbi mundësinë e kompanisë private ANK shpk, për realizimin e saj.

Sipas presidentit “Ligji dhe Kontrata Koncesionare bashkëlidhur janë propozuar, hartuar, nënshkruar dhe miratuar në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës. Ky ligj miraton një Kontratë Koncesionare ku vullneti i Qeverisë Shqiptare në këtë proces është formuar në kundërshtim të hapur me interesin publik dhe në shkelje të parimit të konkurrencës së lirë dhe të barazisë përpara ligjit”, vë në dukje Kreu i Shtetit. Në argumentimin e tij, ai shprehet më tej se “kontrata e lidhur mes autoritetit kontraktor dhe operatorit ekonomik është formalizuar përgjatë një procesi aspak transparent ndaj publikut dhe pa një bazë ligjore për negocimin e çmimit të saj”, apo dhe se “mungesa e një vlerësimi të qartë ekonomik krijon rrezik për cënim të financave të shtetit”.

Presidenti vëren se “nuk rezulton të ketë një studim fizibiliteti të plotë dhe objektiv të hartuar dhe të miratuar nga institucionet shtetërore përgjegjëse të ngarkuara me ligj me këtë detyrë”, dhe “nuk është dhënë miratimi i këtij projekti nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, konform kërkesave të aktit që rregullon këtë proces”. Sipas tij, ky projekt “rrezikon seriozisht buxhetin e shtetit, pasi nuk ka një përllogaritje të saktë të efekteve të saj në ekonominë e vendit”. Për presidentin Meta “qëllimi i miratimit me ligj të kësaj kontrate është vetëm mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare, me qëllim mosevidentimin e përgjegjësisë në këtë proces dhe mbulimin e çdo paligjshmërie nëpërmjet ligjit”.

Formula e Partneritetit Publik Privat, parashikon që financimi i punimeve të bëhet nga vetë kompania, ndërsa shteti e shlyen më pas në harkun e një periudhe 13 vjeçare duke paguar me këste. Në rastin e rrugës Milot-Balldren, kompania A.K.N. shpk ka deklaruar se ajo do të marrë 70 milion euro hua, do të investojë 52 milion euro nga kapitali i saj, ndërsa 19,5 milion euro të tjerë do t’i marrë nga furnitorët. Por zyrtarisht kompania rezulton të ketë, sipas bilancit të vitit 2018, një kapital prej vetëm 3.4 milion euro.

Rruga përfshin përveç aksit kryesore dhe ndërtimin e rrugëve dytësore, dy urave dhe dy tuneleve me gjatësi 850 metra. Fillimisht, në ofertën e saj kompania kishte parashikuar ndërtimin e vetëm një tuneli, ndërsa në një fazë të dytë ka marrë përsipër ndërtimin edhe të një tuneli tjetër, por pa pretenduar shtesë së vlerës.Pikëpyetjeve ju shtua dhe fakti se në ofertën e bërë në vitin 2017 kompania përllogariste një kosto ndërtimi prej 63 milion eurosh dhe kosto mirëmbajtje prej 3.5 milion eurosh, ndërsa një vit më pas, kostoje u rrit me më shumë se dyfishi, ndërsa mirëmbajtja me me shumë se 5 herë.

Autoritetet nuk kanë dhënë asnjë shpjegim publik lidhur me këto dyshime, të cilat janë ngritur mëse një herë dhe nga opozita, por janë mjaftuar të deklarojnë se rruga do të jetë e standarteve europiane, se kostot e saj shtohen dhe nga ndërtimi i rrugëve dytësore dhe nyjeve lidhëse, nga ndërtimi i dy urave dhe tuneleve dhe se në koston përfundimtare përllogaritet dhe kosto e miërmbajtjes.

Përpara miratimit në parlament, Partia Demokratike përsëriti akuzat e saj se “me koncesionin për Milot-Balldre, Edi Rama thyen çdo rekord korrupsioni dhe klientelizmi. Brenda 1 viti, Edi Rama i ka dhënë familjes së mikut të tij personal, Ndue Kola, 526 milion euro ose gati 5% të Prodhimit Kombetar nëpërmjet koncesionit të sotëm dhe atij të rrugës së Arbrit, që ndërtohet nga e njëjta familje”, deklaroi ish deputetja Albana Vokshi duke shtuar se “koncesioni Milot-Balldren dhe Orikum – Dukat është pjesë e projektit kriminal “1 miliardë euro”, që po e shndërron Shqipërinë në parajsën e pastrimit të parave të pista, koston e së cilës e paguajnë qytetarët shqiptarë”.

Realizimi nga Qeveria shqiptare i projekteve sipas formulës PPP, është parë me shqetësim dhe nga istitucionet ndërkombëtare. Më 11 korrik, në Raportin e tij për Klimën e binesit në Shqipëri, Departamenti amerikan i Shtetit theksonte se “përdorimi në rritje i kontratave të Partneritetit Publik Privat, ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, duke përfshirë edhe investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme. Deri në fund të vitit 2018, qeveria kishte nënshkruar më shumë se 200 kontrata PPP.

Shqetësime janë shprehur në vijimësi dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në intervistën dhënë për Zërin e Amerikës, pak javë më parë, Shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë Jan Kees Martijn u shpreh se “ne kemi theksuar se PPP-të sjellin rreziqe për buxhetin. Pra është shumë e rëndësishme të sigurohemi që kur merren në shqyrtim këto projekte të ketë një analizë të kujdesshme, të vlerës së investimit, të rrezikut që po ndërmerr dhe e monitoron nga afër situatën nëse këto rreziqe materializohen. Kemi vënë re se këto masa nuk janë zbatuar gjithmonë. Ne kemi theksuar gjithashtu nevojën për të qëndruar larg propozimeve të pakërkuara, pra PPP që nuk janë të propozuara nga vetë qeveria por kur propozimi vjen nga një investitor. Ne e kemi thënë se është shumë e rëndësishme që qeveria të fillojë duke planifikuar përparësitë në të gjithë sektorët. Qeveria të propozojë projektet dhe të gjitha të kalojnë në një proces tenderimi konkurrues. Projektet e pakërkuara nuk përmbushin këto kërkesa konkurrimi. Largimi nga këto praktika do të ishte hapi në drejtimin e duhur”.

Parlamenti shqiptar miratoi seancën e shkuar ndryshime në ligjin për koncesionet duke ndaluar ofertat e pakërkuara në rastin e ndërtimit të akseve rrugore. Projekligji i hartuar që vitin e shkuar, parashikonte fillimisht që kjo masë të hynte në fuqi që më 1 Korrik. Por një propozim pak para seancës së parlamentit, nga ish ministri i Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj, bëri që ky afat të shtyhej më tej për më 1 Tetor. Ishte pikërisht ky ndryshim, që nxiti presidentin Meta të kthente pas të mërkurën dhe këtë ligj.

SHKARKO APP