Minishengeni Ballkanik, Panariti: Godet Kosovën dhe dialogun Prishtinë-Beograd

Ish-ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, u shpreh në studion e Ditari në A2 se Minishengeni Ballkanik “ka sfumuar dialogun Prishtinë-Beograd” dhe shtoi se priste që “përsa kohë që Kosova nuk është pjesë e marrëveshjes, Shqipëria nuk duhet të ulet në tryezë”.

“E parë në princip, çdo bashkëpunim rajonal është pozitiv dhe Ballkani Perëndimor duhet të punojë në këtë aspekt, por ky rajon nuk ndodhet në gjendje stabiliteti. Ka një vatër të nxehtë Prishtinë-Beograd dhe dialogu mes tyre është në ngërç si rezultat i papërgjegjshmërisë së palës serbe. Vuçiç e ka thënë hapur që Kosova nuk do të njihet kurrë nga Serbia. Serbia bllokoi Kosovën në Interpol, Kosova iu përgjigj me taksën dhe ishim në këtë nivel. Ne tashmë hapëm një pol të ri, duke vendosur dialogun Tiranë-Beograd, në vend që të përqendroheshim te dialogu Prishtinë-Beograd. Diplomacia serbe arriti të krijojë një pol të ri, duke sfumuar dialogun me Kosovën. Unë prisja që Shqipëria të ishte gjithmonë sinkron me Kosovën, por u përdor fjalor denigrues ndaj liderëve të Kosovës”, tha Panariti.

Sipas tij, “Shqipëria humb edhe ekonomikisht nga ky minishengen, pasi hyn e diskriminuar në këtë bashkëpunim”.

“Pika kryesore e marrëveshjes është njehsimi i sistemeve, që do të thotë njehsim i taksave ose edhe zerim i tyre. Por, kjo do të kishte vlerë kur prodhimi i vendeve tona do të ishte i trajtuar në mënyrë të barabartë, por prodhimi ynë bujqësor është i pasubvencionuar, ndërsa në Serbi dhe Maqedoni të Veriut është i subvencionuar 10 herë më shumë. Automatikisht, prodhimet e tyre do të dalin me çmime shumë më të lira sesa prodhimet shqiptare, që do të dilnin jashtë loje. Kemi vrasje të prodhimit shqiptar, do të mbushim raftet me prodhime importi”, shpjegon Panariti.

SHKARKO APP