Ministeriali i NATO-s, Peleshi: Gati të shtojmë kontributin në kufijtë juglindorë
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi po merr pjesë në takimin dyditor të ministrave të Mbrojtjes të vendeve të Aleancës, i cili po zhvillohet në selinë e NATO-s në Bruksel në datat 16-17 shkurt 2022.
Peleshi theksoi qëndrimin e unifikuar të Shqipërisë me vendet e tjera Aleate se çdo vend është i lirë dhe ka të drejtën sovrane për të zgjedhur rrugën e vetë në aleancat e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe orientimin e politikës së jashtme. Ai përmendi rolin e Shqipërisë si bashkë-penë-mbajtëse me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi çështjen e Ukrainës.
Ministri nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së solidaritetit dhe kohezionit që Aleanca duhet të tregojë gjithmonë, por veçanërisht në këtë moment. Ai nuk la pa përmendur dhe vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të Komandave Strategjike dhe strukturave të tjera të NATO-s, në mobilizimin dhe gatishmërinë e përhershme në ruajtje të kufijve të vendeve të Aleancës.
Për sa i përket zhvillimit dhe implementimit të kapaciteteve të Mbrojtjes, Peleshi rikonfirmoi edhe njëherë angazhimin e Shqipërisë për përmbushjen e Zotimit për Investime në Mbrojtje që vendet anëtare morën në Samititn e Uellsit në 2014 për arritjen e buxhetit të Mbrojtjes deri në vitin 2024 në jo më pak se 2% të PBB. Peleshi kërkoi që rajonit të Ballkanit t’i kushtohet vëmendja e duhur në hartimin e Konceptit të ri Strategjik të NATO-s.